DIBËR – Situata e zjarreve në Dibër vijon të jetë problematike, veçanërisht në bjeshkën e fshatit Sllatinë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të dendur me pisha dhe dëllinjë.
Era e fortë dhe temperaturat e larta po vështirësojnë ndjeshëm operacionin për vënien nën kontroll të flakëve. Në terren ndodhen dhjetëra forca, të cilat po operojnë në rrugë tokësore.
Në operacion janë angazhuar specialistët zjarrfikës të Bashkisë Dibër, ndërsa në ndihmë kanë dalë edhe banorë të zonës, të cilët po kontribuojnë vullnetarisht në përpjekjet për shuarjen e zjarrit.
Situata mbetet problematike edhe në Qafë Helmes, pranë Selishtës, si dhe në Vajkal të Bulqizës.
Në Vajkal, prej dy ditësh është angazhuar edhe një helikopter, me qëllim kufizimin e përhapjes së flakëve dhe shmangien e rrezikut për banesat.





