Subscribe

Pas orësh të tëra përpjekjesh vatra e zjarrit në Qafën e Llogorasë është shuar.

Mbi 40 efektivë nga forcat e armatosura iu bashkuan aksionit të zjarrfikësve në orët e para të mëngjesit duke bërë krehjen e zonës për izolimin përfundimtar të flakëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëses, Arben Cara, tha se zjarri ishte i qëllimshëm.

“Vatrat e zjarrit patjetër që kanë dorën e njeriut. Nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi. Zjarri do të hetohet dhe policia e shtetit është duke gjurmuar autorët e zjarrvënies. Së shpejti do të jenë para ligjit ku dhe do të jetë shumë i ashpër. Kodi Penal e ka përcaktuar që zjarrvënia është vepër penale e ne nuk do të ndalemi bashkë me policinë që këto zjarrvënës të japin llogarinë për këtë katastrofë të natyrës”, tha Cara.

Mbrëmjen e të enjtes u arrit të shuhej edhe zjarri në kodrën e Gjilekës në Dhërmi. Flakët nisën pasditen, fillimisht në zonën e Dhërmiut dhe më pas edhe në Llogora.

U desh ndërhyrja nga ajri dhe nga toka për të vënë nën kontroll situatën, pasi flakët të ndihmuara edhe nga era morën përmasa të mëdha, duke rrezikuar të digjnin edhe shumë banesa./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *