Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Këshilli i Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit u mblodh për të shqyrtuar mbi heqjen apo jo të imunitetit së zëvëndëskryeministres Belinda Balluku.
Pesë anëtarë nga PS dhe pesë të PD nisën mbledhjen në Kuvend që prej orës 10 e 30. Ndërsa pjesë e saj u bënë prokurorët e çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kryeprokurori Klodian Braho si dhe avokati i numrit dy të qeverisë Ardian Kalia.
Ndonëse pritej që deputetët të njiheshin me pretendimet e prokurorëve, në mbledhjen e cila zgjati pesë orë, diskutimet u fokusuan në çështje të tjera.
Procedurat teknike të mbledhjes morën vëmendjen nga çështja, ku opozita kërkonte që shqyrtimi i mandatit të Ballukut të zhvillohej e hapur deri në momentin që prokurorët të parashtronin provat e tyre. Megjithatë kërkesa u refuzua nga shumica e cila, pretendoi se mbledhjet janë zhvilluar gjithmonë të mbyllura.
“Kemi kërkuar, sipas rregullores, që mbledhja e sotme të ishte transparente dhe e hapur, sigurisht duke lënë të mundur opsionin që sa herë që prokuroria do të çmonte se duhet të informonte anëtarët e Këshillit për një çështje që cilësohet sekret hetimor, media të largohej”, tha Bardhi.
Pas mbledhjes, Gazment Bardhi nga PD sqaroi gjithashtu se kishte dhe debate lidhur me provat 10 mijë faqëshe të SPAK por në fund u arrit në një dakordësi.
“Këshilli ka marrë vendimin që do ti shpërndahet provat cilitdo deputet që është anëtar. Tre orët e para të mbledhjes kolegët e mazhorancës ishin me qëndrimin se nuk kemi pse i marrim provat. Kur SPAK konfirmoi se nuk ka asnjë problem, e di çfarë bënë, thanë janë shumë faqe na duhen 1 muaj kohë ti shqyrtojmë”, shtoi ai.
Dilemë mbetet se kur do të zhvillohet shqyrtimi i radhës. Kjo pasi Partia Socialiste kërkon që mbledhja e radhës të zhvillohet pas datës 20 janar, teksa në datën 22 do të zhvillohet dhe séance publike e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, opozita nuk bie dakord pasi sipas tyre, në ligj ka disa afate që duhen respektuar.
“Kryetari i Kuvendit është i detyruar të thërrasë mbledhjen kur e kërkon ½ e anëtarëve. Balluku nuk erdhi të mbrohet, 72 orë s’kam pas kohë të përgatitem. E pandehura i ka marrë materialet nga SPAK se është marrë e pandehur për njërën nga procedurat dhe pjesën dërrmuese i ka marrë paraprakisht. Pra është e përgatitur”, tha Bardhi.
Më herët, pala mbrojtëse e Ballukut kërkoi tri javë kohë për tu njohur me provat, por SPAK dha një afat maksimum prej pesë ditësh. Tashmë mbetet për t’u parë se kur do të zhvillohet mbledhja e radhës dhe se ccfarë vendimi do të marrin ligjvënësit anëtarë të saj./vizionplus.tv





