Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë raportet e medias shtetërore iraniane për një draft të supozuar të memorandumit të mirëkuptimit të arritur midis dy palëve për t’i dhënë fund konfliktit, duke e quajtur atë një “trillim të plotë”.
“Ky raport nga media e kontrolluar nga Irani nuk është i vërtetë dhe memorandumi i mirëkuptimit që ata ‘publikuan’ është një trillim i plotë. Askush nuk duhet të besojë atë që po përhap media shtetërore iraniane. FAKTET KANË RËNDËSI”, shkruhej në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në ‘X’.
Lexo edhe :
Media shtetërore iraniane kishte raportuar më parë se memorandumi do të përfshinte tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat ngjitur me Iranin dhe heqjen e bllokadës së porteve iraniane.
Disa detaje janë të ngjashme me atë që disa zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar si marrëveshjen që po finalizohet. Zyrtarët amerikanë të cituar nga media amerikane kanë thënë se Presidenti Donald Trump do të ishte i gatshëm të hiqte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit nëse Irani lejon anijet tregtare të kalojnë nëpër Ngushticë.
“Siç ka thënë Presidenti Trump, negociatat po përparojnë mirë dhe ai i ka bërë të qarta vijat e tij të kuqe. Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje të mirë për popullin amerikan, e cila duhet të sigurojë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”, përsëriti zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Olivia Wales, në përgjigje të raportit të televizionit shtetëror iranian.






