Një sasi lënde plasëse ju vendos një automjeti në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në lagjen e njohur si “Rus”, në Shkodër.
Sipas policisë, dyshohet se lënda plasëse është vendosur pranë gomës së parë të automjetit në pronësi të Alban Bushatit, duke shkaktuar dëmtime të pjesshme. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar.
Pronari i automjetit, i cili merret me shitjen e frutave dhe perimeve, ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët e sulmit. Megjithatë, burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet aktiviteti në të shkuarën i 37 vjeçarit, që dyshohet të jetë marrë me baste sportive.
Ndërkohë një tjetër shpërthim me tritol po në orët e para të mëngjesit u shënua edhe në lokal-restorantin “Brazili i Vjetër” në Fushë-Krujë.
Subjekti është në pronësi të shtetasit Bledar Tali dhe ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnate.
Pronari nuk njihet si person problematik dhe jashtë kamerave deklaron se nuk ka as probleme dhe as konflikte me njeri.
Ndërkohë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë, që mund të ndihmojnë në identifikimin autorit apo autorëve të krimit. /vizionplus.tv




