Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili përdori një gjuhë të ashpër, teksa reagoi pas marrëveshjes së nënshkruar mes opozitës parlamentare dhe mazhorancës.

Në “Facebook”, Vasili tha se deri më sot opozita jashtë Parlamentit nuk ka kërkuar të bëjë Pazar dhe s’i ka kërkuar të gjitha.

“Ca sqarime për maskarenjtë, që duan izolimin me çdo kusht të Shqipërisë! Këshilli Politik nuk është pazari i gjësë së gjallë ku çdo njeri rrëmben diçka. Puna e Këshillit bazohet mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR, që lidhen me ato që rilindja kë bërë në dëm të zgjedhjeve dhe për fajin e saj. Opozita shqiptare as ka kërkuar dhe as ka marrë gjë në Këshillin Politik.”

Për Vasilin, Edi Rama po kërkon të bëjë ndryshime në Kushtetutë brenda një kohe fare të shkurtër sepse është i frikësuar nga humbja në zgjedhje.

Ai deklaroi se mazhoranca nuk do të hapë listat, por vetëm të heqë koalicionet.

“Edi Rama kërkon sot të ndryshojë Kushtetutën për 6 ditë. Edi Rama nuk po hap listat, kjo është gënjeshtër e paturp. Edi Rama ka vetëm një qëllim: që të heqë koalicionet vetëm për një arsye, sepse është i humbur 100%. Pra, duhet të shqyhet Kushtetuta vetëm se ka tmerr Edi Rama nga humbjet dhe nga zgjedhjet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *