Dy miqësore luksi ndezën Europën në aksin Londer-Lion mbrëmjen e kaluar. Brazili mundi Anglinë në mitikun Uembli me rezultatin 1 me 0. Pesë herë kampionët e botës e nisën ndeshjen më mirë duke mbajtur vendasit në gjysmëfushën e tyre por pa mundur të shënojnë. Me kalimin e minutave Anglia nisi të shohë përpara sidomos falë dyshes Foden-Belingam. Megjithatë rastin me të mirë do të kishin brazilianët përmes Paketa, gjuajtja e të cilit shkoi në shtyllë. Pas një pjese të parë shumë intensive, edhe në të dytën anglezët e nisën diçka më mirë, por nuk ishin konkrete, ndërsa Brazili i besoi më shumë zbritjeve të shpejta, përmes të cilave madje gjeti edhe golin e avantazhit në minutën e 80 me anë të 17-vjeçarit Endrik, talenti i blerë nga Reali tashmë.

Sukses i bukur edhe i Gjermanisë në Lion kundër Francës 2 me 0. “Pancerat” të inspiruar nga mjeshtri i mesfushës Toni Kros, i rikthyer pas një kohe të gjatë në kombëtare, kaluan në kohë rekord në avantazh, që në sekondën e 7 përmes një supergoli të talentit Virx. Franca provon të reagojë, krijon raste me Turam, Mbappe e Dembele por nuk e kalon dot portierin Ter Shtegen. E nga krahu tjetër gjermanët nuk falin. Dyfishojnë shifrat në fillim të pjesës së dytë me Kai Haverc, pasi Musiala bëri gjithçka mirë. Goli i pret gjunjët “gjelave” të cilët shpëtojnë në tre raste nga goli i tretë për meritë të portierit Samba. Vetëm në dy momente të Francës për të shkurtuar diferencën mirëpo Mbappe dhe Zhiru nuk ia dolën dot mbanë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *