Shtëpia e Bardhë tha të martën se po hartonte një plan të kujdesshëm në rast emergjence për evakuimin e amerikanëve nga Lindja e Mesme nëse lufta mes Izraelit dhe Hamasit zgjerohet në një konflikt të madh rajonal.

 

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, theksoi se aktualisht nuk ka “përpjekje aktive” për të evakuuar amerikanët nga rajoni përveçse fluturimet nga Izraeli që vuri në funksionim qeveria amerikane në fillim të këtij muaji.

 

“Do të ishte e pakujdesshme dhe e papërgjegjshme nëse nuk do të kishim njerëz që mendojnë për një gamë të gjerë të papriturash dhe mundësish”, tha zoti Kirby. “Sigurisht që evakuimet janë një nga ato gjëra”.

 

Shtëpia e Bardhë foli për planet e emergjencës mes shqetësimeve në rritje se lufta 18-ditore Izrael-Hamas mund të përshkallëzohet më tej.

 

 

Uashingtoni e ka këshilluar Izraelin se shtyrja e një pushtimi të mundshëm tokësor të Gazës mund të jetë e dobishme ndërsa SHBA-të dhe partnerët e tjerë në rajon përpiqen të sigurojnë lirimin e më shumë se 200 pengjeve të marra nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit. Për planin në fjalë u raportua fillimisht nga gazeta “The Washington Post”.

 

Presidenti Joe Biden dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman biseduan të martën në telefon lidhur me situatën e përkeqësuar. Kjo ishte biseda e parë mes dy udhëheqësve që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit. Ata folën mbi “përpjekjet për të penguar aktorët shtetërorë dhe jo shtetërore nga zgjerimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit”, tha Shtëpia e Bardhë.

 

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden e kanë paralajmëruar vazhdimisht Iranin që të mos përfshihet në konflikt.

 

Gjatë ditëve të fundit forcat amerikane në rajon janë përballur me sulme të përsëritura, për të cilat Pentagoni ka thënë se ka të ngjarë të jenë të mbështetura nga Irani, i cili është sponsori kryesor i Hamasit, grupit militant Hezbollah në Liban, si dhe grupeve militante në Irak dhe Jemen.

 

“Të dy udhëheqësit ranë dakord për përpjekje më të gjera diplomatike për të ruajtur stabilitetin në të gjithë rajonin dhe për të parandaluar zgjerimin e konfliktit”, shtoi Shtëpia e Bardhë.

 

Në Pentagon, Gjenerali Pat Ryder tha se SHBA-ja po përgatitet për rritje të dhunës, duke vënë në dukje se tashmë ka pasur të paktën 13 sulme kundër trupave dhe instalimeve në Irak dhe Siri.

 

“Ajo që ne po shohim është perspektiva për një përshkallëzim më të madh kundër forcave dhe personelit amerikan në të gjithë rajonin në një afat shumë të afërt që vijnë nga forca në shërbim të Iranit”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.

 

Ai shtoi se SHBA-të nuk do të ngurojnë që të ndërmarrin veprime nëse është e nevojshme për të mbrojtur forcat dhe interesat e saj në rajon.

 

Zoti Biden tha javën e kaluar se ai besonte se Hamasi ishte i motivuar për ta sulmuar Izraelin pjesërisht nga dëshira për ta ndaluar atë vend nga normalizimi i marrëdhënieve me Arabinë Saudite.

 

“Një nga arsyet pse Hamasi veproi kundër Izraelit, është sepse ata e dinin se unë do të bisedoja me sauditët”, tha zoti Biden gjatë një takimi të fushatës presidenciale.

 

Presidenti amerikan tha se ai mendon se militantët e Hamasit filluan sulmin e tyre vdekjeprurës më 7 tetor sepse “Sauditët donin ta njihnin Izraelin” dhe ishin gati ta bënin këtë zyrtarisht.

 

Një marrëveshje, të cilën Shtëpia e Bardhë thotë se po përpiqet ta realizojë, do të ishte një arritje diplomatike që do të mundësonte njohje më të gjerë të Izraelit nga vendet e tjera arabe dhe me shumicë myslimane që e kanë kundërshtuar kryesisht Izraelin që nga krijimi i tij 75 vjet më parë në një territor të banuar prej kohësh nga palestinezët.

 

Por bisedimet u ndërprenë pasi militantët e Hamasit sulmuan qytet izraelite pranë Rripit të Gazës. Izraeli reagoi duke rrethuar Gazën. Ndërkohë, zoti Biden u tha gazetarëve në Uashington të martën se ndihmat humanitare në territorin e rrethuar nuk po arrinin me shpejtësinë e duhur./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *