Në përgjigje të letrës së kryeparlamentarëve të Ballkanit Perëndimor, presidenti i PE-së, David Sasoli theksoi se po shqyrtohen mënyrat për të përfshirë rajonin në mekanizmat reagues të BE-së.

 

Ai siguroi mbështetje të plotë për të gjetur zgjidhjet më të mira, në mënyrë që vendet e rajonit të mund të mbrohen nga efektet negative të kësaj krize.

 

Sassoli shtoi se përhapja e COVID-19 është një test për solidaritetin evropian dhe se çdo masë e marrë në nivel evropian duhet të përfshijë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

“Ne po përjetojmë një sfidë të paparë, te shkaktuar nga pandemia COVID-19. Një problem global nuk mund të ketë zgjidhje kombëtare, dhe në shumë aspekte, kjo përhapje e Koronavirusit është një test për solidaritetin tonë evropian. Institucionet evropiane vepruan mirë dhe paraqitën një linjë unike në propozimin e zgjidhjeve evropiane – zgjidhje të bazuara në solidaritet dhe që përpiqen të mos lënë mënjanë vendet më të brishta. Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes tonë evropiane dhe prirja e tyre evropiane është përtej çdo dyshimi. Ndaj, jam plotësisht dakord me ju kur thoni se çdo masë e marrë në nivel evropian duhet të përfshijë vendet tuaja, dhe së paku të mos shkaktojë ndonjë pasojë negative në përpjekjet tuaja për t’u pëballur me pandeminë COVID. Të jeni të sigurt se BE tashmë po shqyrton mënyrat për të përfshirë rajonin tuaj në mekanizmat e tij reagues. Si President i Parlamentit Evropian mund t’ju siguroj për mbështetjen time të plotë për të gjetur zgjidhjet më të mira, në mënyrë që ju të mund të mbroheni nga efektet negative të kësaj krize. Miqtë e mirë e tregojnë dashurinë e tyre në kohë të vështira, jo vetëm në kohë të mira. Është koha për solidaritet dhe rajoni juaj duhet të përfshihet. Nëse rrimë të bashkuar, mund të dalim më të fortë nga kjo krizë”, shkruan Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli.

 

Kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor iu drejtuan me një letër Bashkimit Evropian disa ditë më parë, të cilët kërkonin lehtësimin e rregullave për eksportet e pajisjeve mjekësore dhe shtimin e ndihmës për luftën ndaj pandemisë COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *