Nga monumente të dëmtuara dhe të mbyllura për publikun pas tërmetit të nëntorit 2019, në hapësira që mirëpresin sërish vizitorët. Pas gati gjashtë vitesh ndërhyrjesh restauruese, 23 site të trashëgimisë kulturore shqiptare janë rikthyer në funksion, duke shënuar përmbylljen e një prej investimeve më të mëdha të Bashkimit Evropian për kulturën në Shqipëri.
Programi EU4Culture, ka bërë të mundur restaurimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti, mes tyre Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, Teatri Kombëtar i Kukullave, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Qendra “Sotir Kolea”, si edhe një sërë muzeumesh, kalash e monumentesh në Durrës, Bashtovë dhe Kavajë. Për çdo ndërhyrje është synuar ruajtja e identitetit historik të objekteve.
“Secili prej tyre kishte sfida te ndryshme. Për shembull, për mozaikun në Tiranë, ne kontaktuam me autorët që e krijuan mozaikun për t’i pyetur se si e kishin realizuar, dhe i blemë teserat nga një furrë në Venecia, e cila ishte e njëjta që kishte prodhuar teserat në vitin 1981. Pra në dorma të tilla jemi munduar të ruajmë tëpaprekur identitetin historik të secilit obkejt ët restauruar”, tha Pamela Lama, menaxhere e programit EU4Culture, UNOPS
Përveç restaurimit fizik, monumentet janë pajisur me elemente multimediale, guida në disa gjuhë dhe forma të reja interpretimi, duke e bërë vizitën më të pasur për publikun.
“Ajo që u bë ishte që, kudo ku ishte e mundur, të përmirësohej përvoja e vizitorëve, për shembull përmes multimedias, guidave në disa gjuhë dhe aktiviteteve interaktive që tërheqin familjet, të rinjtë, turistët dhe vizitorët, duke i bërë ata më të interesuar dhe më të informuar për historinë e pasur kulturore të Shqipërisë”, shtoi Lama.
Restaurimi i këtyre monumenteve nuk ka ruajtur vetëm historinë, por ka krijuar edhe mundësi të reja për turizmin kulturor, ekonominë vendore dhe zhvillimin e jetës artistike në qytetet ku ato ndodhen.





