Kur Shqipëria pret pa shpresë hapjen e negociatave anëtarësuese në fund të qershorit, presidenti Ilir Meta renditi gjithë shqetësimet e ngritura në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian. Me dëshirën që Bashkimi Evropian të ulë Shqipërinë në tryezën e konferencës së parë ndërqeveritare, kreu i shtetit vërejti se gjithçka e shkruar në rezolutë përbën arsyen e vërtetë të mosçeljes së negociatave.

 

Mes idesë së presidentit francez Emannul Macron për t’u dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, statusin e vendit të asociuar dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, Ilir Meta është për të dytën.

 

Deklaratë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

 

E vlerësova të domosdoshme të tërhiqja vëmendjen tuaj sot për çështjen më të rëndësishme që presin të gjithë shqiptarët prej vitesh, për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

 

Dua të vlerësoj sot Rezolutën e miratuar dy ditë më parë në Parlamentin Europian me shumicë votash të të gjithë spektrit politik europarlamentar.

Dua të vlerësoj mbështetjen e gjerë politike ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, por njëkohësisht edhe gjuhën e drejtpërdrejtë të përshkrimit të situatës në vend, dhe të atyre detyrave asaj që pritet të përmbushen nga Shqipëria në vazhdim.

 

Përmes kësaj rezolute Parlamenti Europian:

1. Rithekson mbështetjen e qartë për transformimin demokratik të Shqipërisë;
2. Kujton se anëtarësimi përfundimtar në BE varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme, duke filluar nga sundimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike;
3. Shpreh shqetësimin serioz për klimën e polarizuar politike dhe mungesën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërpartiak;
4. Kujton rëndësinë e ndërtimit të konsensusit të nevojshëm ndërmjet të gjithë aktorëve;
5. Shpreh keqardhje për ndryshimet jokonsensuale të Kushtetutës dhe të kodit zgjedhor nga mazhoranca qeverisëse përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit;
6. Bën thirrje që politika shqiptare të tregojë pjekuri politike në trajtimin e çështjeve me interes publik, të rrisë demokracinë dhe integritetin konkurrues brendapartiak si një hap për pluralizmin dhe transformimin demokratik;
7. Rikujton nevojën për të adresuar mangësitë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias në kohën e duhur, duke përmirësuar integritetin e zgjedhjeve, parandalimin e blerjes së votave dhe keqpërdorimin e burimeve administrative;
8. Shpreh keqardhjen për mungesën e dënimeve përfundimtare të niveleve të larta në rastet e blerjes së votës;
9. Rikujton përgjegjësinë e autoriteteve qendrore dhe lokale për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje;
10. Nënvizon nevojën për të përmirësuar demokracinë pjesëmarrëse, përfshirë miratimin e një ligji për referendumet;
11. Rithekson nevojën për llogaridhënie, akses në informacionin publik dhe kontrollin e institucioneve publike;
12. Vëren nevojën për përmirësim urgjent të lirisë së shprehjes, pavarësisë së medias dhe pluralizmit;
13. Shqetësohet për mungesën e progresit, pasi Shqipëria ka rënë me tetë vende në ‘Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit’ të Reporterëve pa Kufij;
14. Kërkon që autoritetet të zbatojnë një politikë të tolerancës zero dhe të ndërmarrin veprime vendimtare kundër margjinalizimit, frikësimit dhe dhunës ndaj mediave dhe reporterëve të pavarur;
15. U kërkon figurave politike të ndalojnë sulmet verbale, fushatat e shpifjeve dhe aktet e frikësimit ndaj gazetarëve;
16. Rikujton se çdo rishikim i ligjeve të medias nga Kuvendi duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse;
17. Rithekson shqetësimet serioze për ‘paketën anti-shpifje’ të propozuar më parë;
18. Nënvizon se Agjencia e sapokrijuar e Medias dhe Informacionit duhet të rrisë transparencën dhe decentralizimin dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë aksesin e barabartë të gazetarëve në informacion nga burimet qeveritare;
19. I bën thirrje qeverisë të përmirësojë aksesin në raportimin dhe shqyrtimin e punës së saj nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe formale, si konferencat për shtyp dhe intervistat;
20. Shpreh shqetësim serioz për rrjedhjet masive të të dhënave personale;
21. U bën thirrje autoriteteve shqiptare të rrisin parandalimin, të sigurojnë llogaridhënie për keqpërdorimin e të dhënave personale, pra të sigurojnë llogaridhënie dhe të ketë ndëshkime;
22. Rikujton nevojën për të siguruar lirinë e tubimit paqësor dhe vë në dukje rëndësinë e trajtimit të akuzave për sjellje të pahijshme nga policia dhe hetimin dhe ndjekjen penale të përdorimit joproporcional të forcës;
23. Kujton nevojën për të trajtuar krimet e epokës komuniste, për të hetuar zhdukjet me forcë, për të ndjekur penalisht përgjegjësit dhe për të ofruar dëmshpërblime për të mbijetuarit dhe familjet e tyre;
24. I kërkon Komisionit Europian të zbatojë rekomandimet e raportit të posaçëm të Gjykatës Europiane të Audituesve, duke siguruar që fondet e BE-së të përdoren për forcimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dhe Shqipërinë;
25. Thekson detyrimin e autoriteteve shqiptare për zhdukjen e korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale nga të gjitha fushat e jetës publike, duke përfshirë procedurat e prokurimit publik dhe financimin e partive politike;
26. Vëren se Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021, që nga viti 2016;
27. Shpreh shqetësimin për nivelin e ulët të mbikqyrjes dhe llogaridhënies ndaj prokurimeve publike dhe të shpenzimit të ndihmës së huaj dhënë gjatë pandemisë;
28. Nënvizon nevojën për të eliminuar efektet anësore të vettingut, si procedurat e gjata, ritmin e ulët të verifikimeve, dhe numrin e lartë të çështjeve të mbartura;
29. Shpreh keqardhjen që dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, gjë që nxit kulturën e mosndëshkimit;
30. Nënvizon rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve vendimtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke siguruar një histori të qëndrueshme të hetimeve proaktive, ndjekjes penale dhe dënimeve përfundimtare për korrupsion të nivelit të lartë dhe konfiskimin e aseteve kriminale;
31. Inkurajon korrigjimin e shpejtë të mangësive në adresimin e planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar dhe ‘Rekomandimet e Moneyval’ dhe zbatimin e plotë të legjislacionit;
32. Rekomandon që të hiqet dorë nga skema ‘shtetësi për investim’, e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazion fiskal;
33. Shpreh shqetësimin për përhapjen e gjerë të armëve të zjarrit në Shqipëri;
34. Shpreh keqardhjen që ndarja e buxhetit 2021 për arsimin ishte vetëm 2,7 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto së Shqipërisë;
35. Rikujton se IPA III parashikon një kushtëzim të fortë, sipas të cilit financimi duhet të ulet ose pezullohet në rast të prapësimit domethënës, ose mungesës së vazhdueshme të progresit në fushën e çështjeve thelbësore, veçanërisht atë të sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e medias. Pra në të ardhmen fondet e Bashkimit Europian do të kushtëzohen nga progresi ose regresi në këto drejtime;
36. Thekson se është në interesin e vetë BE-së dhe është përgjegjësi e saj të garantojë që fondet e Bashkimit Europian të mos kontribuojnë në korrupsion;
37. Bën thirrje, që BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë një kornizë për një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Prokurorit Publik Europian, veçanërisht në fushën e fondeve IPA III;
38. U kërkon fuqimisht autoriteteve të rritin masat për mbrojtjen e biodiversitetit, ujit, ajrit, klimës dhe menaxhimit rajonal të mbetjeve, duke përfshirë vlerësimet e ndikimit mjedisor dhe strategjik, konsultimet e duhura publike, procedurat transparente dhe ndjekjen rigoroze të krimit mjedisor;
39. Shpreh shqetësime për rishikimin e hartës së rrjetit të zonave të mbrojtura, e cila nuk duhet të kontribuojë në degradimin e mjedisit. Pra në heqjen e sipërfaqeve të gjelbra për t’i zëvendësuar me beton;
40. U bën thirrje autoriteteve që të kenë prioritet monitorimin dhe raportimin vjetor të ndotjes së ajrit, ndotjes akustike dhe cilësisë së ujërave;
41. Vëren domosdoshmërinë e informimit të rregullt të popullatës për gjendjen e ndotjes së ambientit;
42. Kërkon një rishikim të strategjisë kombëtare për menaxhimin e mbetjeve për 2018-2035 duke u fokusuar në metodat më të sofistikuara të riciklimit në përputhje me standardet e BE-së;
43. Thekson nevojën e përdorimit të teknologjisë moderne të filtrimit për impiantet e djegies derisa të krijohet një strategji e plotë riciklimi me qëllim që të reduktohen rreziqet shëndetësore dhe mjedisore;
44. Kujton se projektet e infrastrukturës, përfshirë portin e Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian për prokurimet publike të përfshira në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit;
45. I bën thirrje qeverisë shqiptare të vazhdojë promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, që vendos bashkëpunim të barabartë midis të gjashtë vendeve, duke zbatuar dhe zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal.

 

Vlerësova t’i kushtoja një vëmendje të posaçme kësaj rezolute dhe në mënyrë të veçantë përmbajtjes së saj, sepse mendoj se janë diagnostikuar të gjitha problemet që deri tani e kanë bërë të pamundur përparimin europian të vendit tonë dhe çeljen e negociatave.

 

Votimi në parim i kësaj rezolute sigurisht që tregon një qasje strategjike të Parlamentit Europian për të përkrahur politikën e zgjerimit, veçanërisht në kushtet edhe të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

 

Natyrisht që i ka evidentuar të gjitha problemet kritike të vendit tonë, të demokracisë sonë, të lirisë së medias dhe të shprehjes, të problemeve themelore të pluralizimit politik, të problemeve që kanë të bëjnë me paralizimin e shtetit të së drejtës, me vetë zbatimin e vettingut e të reformës në drejtësi, me korrupsionin e jashtëzakonshëm.

Fakti që përmendet regresi i Shqipërisë me 26 vende nga viti 2016 në vitin 2021, pra në pesë vite përsa i takon indeksit të korrupsionit, është shumë domethënës dhe i pandodhur më parë.

Fakti që gjithashtu evidentohet regresi përsa i takon indeksit të lirisë së mediave sipas ‘Reporterëve pa Kufij’, është përsëri një tregues tjetër.

Ndaj është e domosdoshme që të gjithë aktorët, Qveria në radhë të parë, opozita, forcat politike, të gjithë aktorët e shqoërisë civile, që e kanë pasur dhe e kanë përparësi çështjen e integrimit europian, të fokusohen seriozisht te përmbajtja e kësaj rezolute.

 

Unë dëshiroj dhe e mbështes fuqimisht çeljen e negociatave për vendin tonë, pavarësisht nga kjo prapambetje skandaloze në të gjitha drejtimet që ne kemi, për arsye sepse në çdo rast populli shqiptar meriton që të hidhet një hap përpara, por këto probleme përsëri do të mbeten dhe këto përsëri do të kushtëzojnë ecurinë e mëtejshme të procesit të negociatave dhe të gjithë procesit të anëtarësimit.

 

Këto janë pengesa të pakalueshme për çdo vend që dëshiron të anëtarësohet realisht në Bashkimin Europian, sepse kanë të bëjnë me standardet e transparencës, të llogaridhënies si dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës e të sundimit të ligjit.

 

Kështu që është e domosdoshme të ketë një reflektim urgjent dhe përmbajtja e këtyre rezolutave të mos i fshihet publikut, as në mënyrë të qëllimshme, dhe as në mënyrë të papërgjegjshme, për arsye të kushtimit të vëmendjes ndaj çështjeve tërësisht periferike.

 

Të mos harrojmë dallimin e madh që bëhet midis dy vendeve! Për Maqedoninë e Veriut, Parlamenti Europian shprehet se: ‘Maqedonia e Veriut është vendi që ka bërë përparimin më cilësor të tranzicionit të transformit demokratik në Ballkanin Perëndimor.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *