Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi hetimin e tij ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 që u publikua të enjten tregon se Presidenti Donald Trump kërkoi të detyronte largimin e zotit Mueller.

Në versionin e redaktuar të raportit prej më shumë se 400 faqesh të publikuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr thuhet se në qershor të vitit 2017, presidenti Trump i komunikoi Këshilltarit Ligjor të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, të kërkonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller për shkak të konfliktit të interesit.

Në raport thuhet se “McGahn nuk e zbatoi udhëzimin, duke vendosur që të jepte dorëheqjen sesa të shkaktonte atë që ai e konsideronte si një masakër e natës së shtunë”. ‘Masakra e natës së shtunë’ i referohet shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të zbatimit të ligjit nga presidenti Richard Nixon në tetor të vitit 1973 gjatë periudhës së Watergate-it.

Pak para se raporti të bëhej publik, kryeprokurori Barr u tha gazetarëve se Presidenti Trump nuk ka bashkëpunuar fshehurazi me Moskën dhe tha se më vonë, pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk kishte “asnjë qëllim të korruptuar” për të penguar hetimin.

Presidenti Trump, i cili prej kohësh i është referuar hetimit Mueller si një “Gjueti Shtrigash”, tha të enjten: “Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë me një president tjetër, ky mashtrim nuk duhet të ndodhë. Kjo kurrë nuk duhet të ndodhë me një president tjetër.”

Në fund të muajit të kaluar, në një përmbledhje të gjetjeve të zotit Mueller, kryeprokurori Barr tha se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë, por nuk kishte marrë asnjë vendim nëse ai kishte penguar drejtësinë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë i kontrolluar nga demokratët publikoi një letër të enjten duke kërkuar që prokurori Mueller të dëshmojë para komisionit “sa më shpejt të jetë e mundur”./VOA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *