Kryetari i PD-së, Sali Berisha, para gazetarëve përsëriti se beteja e opozitës në Parlament dhe në sheshe do të jetë vetëm në funksion të largimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Berisha shpjegoi se opozita nuk pret as nga faktori ndërkombëtar, e as nga sistemi i drejtësisë, që të rrëzojnë kryeministrin Rama, pasi, sipas bindjes së tij, kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet protestave dhe reagimit të qytetarëve.
“Nuk ka asnjë diskutim që Edi Rama bën gjithçka, dhe jo vetëm bën, por do të bllokojë drejtësinë. Do të përdorë 83 mandatet e tij të krimit kundër drejtësisë. Dhe këtu, ndaj themi ne, fjalën e vetme e kanë qytetarët shqiptarë. Ne kemi theksuar dhe theksojmë: Edi Ramën nuk do ta heqë drejtësia. Edi Ramën nuk do ta heqin ‘Deltat’, atë do ta heqin qytetarët shqiptarë me protestat e tyre.”, tha Berisha.
Gjatë konferencës, Berisha komentoi edhe aktivitetin e kryeministrit Edi Rama dhe numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, për prezantimin e projektit për ndërtimin e një parku të energjisë nëpërmjet erës, pjesë e të cilit ishte edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Berisha sulmoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, por shmangu çdo koment për diplomaten amerikane.
“Nuk e kam parë këtë lajm akoma. Do ta shoh, por sidoqoftë dua të them që Balluku turpëron çdo zyrtar të çdo vendi. Balluku është turpi i Shqipërisë, turpi i kombit shqiptar, turpi i qeverisë.”
Strategjia e opozitës kundër qeverisë Rama duket se do të fokusohet te protestat. Protesta kombëtare do të zhvillohet më 24 janar, ndërkohë që deputetët demokratë kanë vendosur të mos lejojnë zhvillimin normal të Parlamentit, i cili nis sesionin të hënën e ardhshme.





