Thirrjeve për të vazhduar protestat, këtë herë me kërkesën për dorëheqje të Ardi Veliut, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i është përgjigjur kryeministri Edi Rama. Në reagimin në rrjetet sociale, kreu i qeverisë duke nënkuptuar se ato janë të nxitura nga opozita, u kujton se pushtet fitohet me votë dhe jo me akte të dhunshme ndaj institucioneve të vendit.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!
Edi Rama paralajmëron protestuesit se të gjithë ata që do të shkelin ligjin do të përballen me të.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit.
Pas shkatërrimit të disa institucioneve qeveritare dhe kulturës gjatë protestave që erdhën si reagim pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga polici Nevaldo Hajdaraj, Edi Rama thotë se nuk do të tolerohen me akte të tilla.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë!
Në mbyllje të reagimit, kryeministri shkruan se shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk janë shprehje të lirisë dhe demokracisë.





