Kryeministri Rama në konferencën për shtyp me Kancelarin gjerman tha se Shqipëria pret hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në Qershor.

 

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se procesi i integrimit europian është një proces për të ndërtuar një Shqipëri me standarde e BE.

 

“Ishte vërtet kënaqësi të merrja ftesën tuaj dhe të ritakoheshim pas një takimi të parë në qytetin e mrekullueshëm të Hamburgut. Nga ana tjetër jam shumë i inkurajuar nga biseda me Kancelarin sepse gjeta një gatishmëri inkurajuese të tij dhe të Gjermanisë për të shtyrë me më shumë vendosmëri procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga përmbysja e një faze të procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që shpresojmë të ndodhë në qershor. E çmojmë shumë konsideratën e qeverisë federale për progresin që ne kemi bërë, por jemi edhe të vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë në të gjitha drejtimet.

 

Për ne procesi i integrimit europian nuk është një proces për të shkuar në Evropë, por për të ndërtuar një Shqipëri me standardet e BE, dhe këtë ia detyrojmë fëmijëve tanë. Sigurisht që ne jemi tërësisht në një linjë me Kancelarin, sikundër e gjithë BE, në raport me agresionin rus mbi Ukrainën. Ne i dënojmë njëzëri krimet mizore që po kryhen atje dhe kërkojmë armëpushim sa më të shpejtë dhe negociata sa më të vërteta që të përfundojë ky kalvar që po shkatërron jetën e miliona njerëzve, që po bën reale atë që ne mendonim se nuk do përsëritej kurrë më, një luftë në Evropë.

 

Së treti, vlerësoj dëshirën e tij për t’i dhënë një impuls të ri Procesit të Berlinit, që e ka sot më të domosdoshëm se kurrë një përshpejtim të ri. Unë e informova Kancelarin edhe për ‘Ballkanin e hapur’ që nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje për ta jetësuar Procesin e Berlinit”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *