Subscribe

Si një nga shumë provat që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i paraqitën Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në betejën e tyre ligjore, për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit, ishin gjurmët e gishtërinjve që zgjedhësit lanë në 25 Prill.

 

Nga të dhënat e gjeneruara nga këto pajisje që mundësuan identifikimin elektronik të qytetarëve para se ata të votonin, rezultoi se 878 zgjedhës e vendosën gishtin më shumë se një herë, që jo domosdoshmërisht do të thotë se ata votuan më shumë se një herë.

 

Nga një analizë ende e papërfunduar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi nuk janë përfshirë të dhënat për tre qarqe, atë të Lezhës, Kukësit dhe Dibrës, dyshimi është se kemi të bëjmë me një rregull të shkelur nga ana e operatorëve, administruesit e pajisjeve të identifikimit elektronik në të gjitha qendrat e votimit në vend.

 

LEALBA PELINKU

NENKOMISIONERE, KQZ

“Rezulton që në shumicën e rasteve shenja e gishtit lidhet edhe me numrin e identitetit të operatorit që ka operuar në atë qendër votimi. Rastet më të shumta i takojnë pikërisht operatorit.”

 

Të dhënat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i referojë në prokurori. Operatorët do të duhet të shpjegojnë arsyet e vendosjes së gishtit më shumë se një herë. Për të vërtetuar nëse është ose jo një gabim njerëzor, organi i akuzës do të shqyrtojë edhe pamjet nga kamerat e sigurisë për të parë nëse ata kanë votuar disa herë apo thjesht kanë lehtësuar procesin.

 

LEALBA PELINKU

NENKOMISIONERE, KQZ

“Ngelem e mendimit që në shumicën e rasteve është kryer me qëllimin e mirë për të mos penguar dhe krijuar radhë në qendrën  votimit.”

 

Me gjithë këtë parregullsi të pritur të zbatimit për herë të parë të teknologjisë, pasi edhe shifra prej 878 rastesh në mbi 1 milionë e 600 mijë votues nuk e çon dot drejt ndryshimit rezultatin, pajisjet e identifikimit elektronik pamundësuan problematika të së shkuarës.

 

LEALBA PELINKU

NENKOMISIONERE, KQZ

“Pamundësoi të votuarit në qendra të gabuara. Rreth 180 mijë raste rezultojnë nga qendërzimi i të dhënave, ku teknologjia ka orientuar zgjedhësin në qendrën e duhur pasi është paraqitur në qendrën e gabuar, dhe janë mbi 1 mijë ramsteku teknologjia ka identifikuar përpjekjen e votimit të dyfishtë.”

 

Me mbylljen e ankimimeve të PD dhe LSI në Kolegjin Zgjedhor, KQZ, do të dalë me një raport përfundimtar mbi suksesin e përdorimit të teknologjisë në zgjedhjet e 2021-it që taksa-paguesve shqiptarë i kushtoi miliona euro.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *