Prej muajsh, flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në vend, duke lënë pas mijëra hektarë me pyje e bimësi të djegur.
Zjarri mund të shuhet brenda disa ditësh, por një pylli I duhen mbi 100 vjet për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme.
“Kjo varet nga shumë faktorë, pjerrësia e terrenit, trashësia e horizontit produktiv të tokës, kushtet atmosferikë, lloji i bimësisë që ka qenë. Por, koha e kthimit pa ndihmën e njeriut, pra në mënyrq natyrore kalon 100 vjecarin në shumicën e rasteve. Ka raste të tjera që mund të ndodhi më shpejt për shkak të kushteve atmosferike, por vart në dorë të natyrës. Nëse njeriu ndërhyn atëherë koha shkurtohet.mund të jetë në 30-50 vjet”, tha Ramiz Metaliaj, pedagog, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.
Në vendin tonë masivet pyjore, thotë Metaliaj, janë të përbera kryesisht nga ah, dushqe dhe pisha. Këto të fundit janë vecanërisht të ndjeshme dhe rigjenerimi I tyre është më I vështirë.
“Dallimi mes dushqeve dhe pishave është se pisha po u dogj nuk del, duhet të bjerë fara që të mbijë pisha nga e para. Kur kemi zjarr me intensitet të lartë ekziston rreziku i shpërllarjs së dheut produktim, erozionet pas zjarrit,që eleminon mundësinë e mbirjes së farave, ose mbirja e barishteve që len farën pezull, pa kontakt me tokën”, shtoi Metaliaj.
Humbja e shtresës pjellore të tokës mund ta bëjë dëmin edhe më afatgjatë. Pas zjarrit, shirat mund të marrin me vete dheun produktiv, veçanërisht në terrenet e pjerrëta, duke lënë pas një sipërfaqe shkëmbore.
“Materiali drunor i djegur duhet të vendoset horizontalisht për të penguar shpëlarjen e sipërfaqes. Shiu i parë mund ta çojë hirin poshtë dhe pastaj ngelet vetëm shkëmbi. Në shkëmb nuk mbin asgjë. Nëse hiri ruhet, krijohen kushte të mira për mbirjen e farave”, tha Metaliaj.
Ndërhyrjet e para pas zjarrit, nga frenimi i erozionit te pyllëzimi dhe mbështetja e ripërtëritjes natyrore, sipas ekspertit, janë vendimtare për të shkurtuar kohën e ripërtëritjes.





