Përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën, me deklarata të papërgjegjshme dhe deklaratat zyrtare të LSI-së me akuza vulgare ndaj socialistëve dhe vetë Policisë së Shtetit, janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht.
Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në votim dhe u kërkon të gjithë ekipeve elektorale, votuesve, mbështetesve si edhe simpatizantëve të saj, të ruajnë qetësinë.
Mos bini pre e provokimeve skandaloze të Presidentit të zgjedhur e të eksponentëve të partisë së tij, sidomos të “vezhguesve” të LSI që në disa zona janë elementë me precendentë penale. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Shqipërisë sot me votën tuaj dhe përballoni me shumë vetëpërmbajtje, ofensivën mizerabël të Presidentit të zgjedhur mbi procesin zgjedhor.
Këto zgjedhje, janë nisur për të qenë më çdo aspekt me të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, prandaj çdo zgjedhës e zgjedhëse që merr pjesë me qetësi e qytetari në votime, pavarësisht për kë voton, jep nje kontribut të shkëlqyer qytetar e atdhetar.
Partia e Presidentit të zgjedhur, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ua prishë dot këtë festë demokratike Shqipërisë e shqiptarëve. Sa më shumë njerëz në votime sot, aq më e sigurtë, më e fortë, më e mirë, Shqipëria nesër.





