Lulzim Basha ka propozuar një draft prej 14 faqesh për Statutin e ri dhe elementi i parë i që bie në sy është se, asgjë nuk do të ndryshojë në Partinë Demokratike pas humbjes së 25 prillit.
Ndryshimet riformulojnë nene, shtojnë numrin e anëtarëve të forumeve kryesore të pd; por nuk japin asnjë sinjal se partia më e madhe e opozitës do të reformohet.
Ashtu siç pritej propozimet e Bashës nuk ndryshojnë asgjë tek pozicioni i kryetarit të partisë; dhe mesa duket Kadilli do mbetet i vetmi që kërkon një nen statutor për largimin e liderit të opozitës kur humbet zgjedhjet. Vete Basha në dokumentin e ndryshimeve në statut thekson se zgjerohet demokracia e brendshme në parti.
“Është zgjeruar koncepti i demokracisë së brendshme në parti edhe për zgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal, duke ngushtuar kompetencën që kishte Kryetari i Partisë në këtë drejtim.”
Por pavarësisht se statuti sanksionon se anëtarësia dhe komisioni i vlerësimit të kandidatëve kanë kompetenca në përzgjedhjen e deputetëve dhe krerëve të bashkive; mbi këtë parashikim statutor bie hija e eksperiencës së komisionit të njohur me emrin Ruli- Nishani. Edhe pse komisioni i rekomandoi Bashës që të mos rikandidonte disa prej deputeteve; në masën dërrmuese Lulzim Basha i injoroi vendimet e tij; duke ngritur dyshime te forta nëse në zgjedhjet e ardhshme Basha do të veprojë ndryshe.
Ka një element që bie në sy në draftin e propozuar nga Basha; tek kompetencat e Këshillit Kombëtar i cili është organi prej nga burojnë të gjithë drejtuesit e PD; është hequr togfjalëshi “zgjedh me votim të fshehtë” i cili është aplikuar gjithnjë në PD për të zgjedhur Kryesinë e Sekretariatin. Në versionin e propozuar nga kryetari i PD shkruhet se Këshilli “vendos për emërimin” e të gjithë funksionarëve të lartë. Por nëse votimi i fshehtë hiqet; atëherë një pjesë e fuqisë së Këshillit Kombëtar është hequr.
Ndryshimet në Statut do të miratohen të shtunën nga Kuvendi Kombëtar, ku do të zgjidhet edhe Këshilli i ri Kombëtar. Nëse tek baza e rregullave të partisë Basha vendosi të mos ndryshojë asgjë; pritet të shihet gjatë procesit zgjedhor; nëse Basha do të vendosë të drejtojë PD me një ekip të ri apo jo.