Subscribe

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka shpallur programin e Partisë Demokratike për sektorin e shëndetësisë. Basha ka premtuar se pas 25 prillit, nëse PD fiton zgjedhjet shqiptarët do të shpenzojnë më pak për shëndetin e tyre.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Ne shqiptarët paguajmë më shumë nga çdo vend tjetër në rajon para nga xhepi për kujdesin shëndetësor. Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar Europian.”

 

Partia Demokratike synon të riorganizojë spitalet publike duke garantuar autonominë e tyre.

 

“Pacienti do të vendoset në qendër të sistemit sipas parimit “paraja ndjek pacientin.” Ju vetë do të zgjidhni mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku doni të kuroheni.

 

Nga ana tjetër, Basha ka premtuar rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë, raporton Vizion Plus.

 

“Në programin tonë, Shqipëria fiton Shëndetësinë, paga e infermiereve do të bëhet 700 Euro dhe e mjekëve do të bëhet 1200 Euro.”

 

PD premton se kur të vijë në pushtet do të vendosë kontroll për cilësinë e barnave.

 

“Ne do të sigurojmë menjëherë bazën ligjore dhe do të ushtrojmë kontroll të plotë që në Shqipëri të shiten vetëm ilaçe të cilësisë së lartë të standardit të vendeve europiane. Ilaçet do të rimbursohen sipas diagnozës dhe jo sipas skemës aktuale kufizuese që lë jashtë saj shumë medikamente për njerëzit dhe i detyrojnë ata të paguajnë nga xhepi.”

 

Basha ka premtuar edhe riorganizimin e shërbimit të shëndetit publik në mënyrë që vendi të jetë i përgatitur për të përballuar sfidat në të ardhmen.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *