Presidenti Donald Trump ka ndaluar ambasadorin amerikan në BE që të dëshmojë komisionin hetimor të demokratëve, mbi telefonatën e presidentit Trump me homologun ukrainas Volodimir Zelenski.

 

Presidenti e ka cilësuar komisionin hetimor një “gjykatë kangurësh”, ndërkohë që vetë demokratët e kanë akuzuar atë për pengim të drejtësisë.

 

Ambasadori Gordon Sondlend duhet të paraqitej në një sesion me dyer të mbyllura të komisionit që ka nisur procedurat e inkriminimit të presidentit, por një gjë e tillë nuk ndodhi, duke detyruar kreun e komisionit të paralajmërojë një thirrje ligjore për diplomatin.

 

Sondlend do të merrej në pyetje në lidhje me një rol të mundshëm të tij në përpjekjet e Trump për të përbaltur figurën e rivalit të tij politik Joe Biden. Konkretisht nëse presidenti republikan bllokoi rreth 400 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën për të kërkuar një hetim të Biden dhe djalit të tij Hanter, që ishte anëtar i bordit të një kompanie energjitike ukrainase.

 

Duke reaguar, ambasadori Sondlend deklaroi se ishte udhëzuar nga Departamenti i Shtetit që të mos shfaqej në komisionin e kongresit për të dëshmuar. Ndërsa presidenti Trump, me ironi u shpreh se, nëse do t’i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës, Sondlend do të ishte shfaqur përpara një “gjykate kangurësh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *