Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç ka refuzuar ftesën e përfaqësuesit të lartë të BE për tu takuar me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel gjatë javës së ardhshme.

 

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë. Është e kot të flitet deri sa kryetarët e rremë të japin dorëheqjen e të ashtuquajturat forcat speciale të Kosovës të tërhiqen nga veriu. Nuk më shkon mendja të flas, derisa të lirohen serbët e arrestuar.”

 

Në një deklaratë për mediat në Beograd, Vuçiç saktësoi se do të vendosë nëse do të marrë pjesë vetëm duke u paraqitur fizikisht në takim. “Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai. Vuçiç tha gjithashtu se pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve për paqe, sipas tij në sytë e ndërkombëtarëve “Serbia mbetet gjithmonë fajtorja”.

 

“Vendi ynë me të vërtetë dha gjithçka për të ruajtur paqen. Megjithëse u përpoqëm të jemi një partner serioz dhe i përgjegjshëm për fuqitë perëndimore, ata nuk na shikojnë asnjëherë ashtu. Për ata ne jemi gjithmonë në faj edhe kur nuk kemi faj.”

 

Vuçiç akuzoi kryeministrin Kurti se po kërkon të nisë një luftë dhe ndërkombëtarët se po mbrojnë Kosovën.

 

“Ai provokon, do konflikt, do luftë me çdo kusht dhe kur thot se nuk ka mbrojtje, gënjen. Këtu vijmë te vendimi thelbësor i vendeve perëndimore, për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm. Ata lejojnë pushkatimin e serbëve, keqtrajtimin dhe bullizmin e serbëve. Dhe Kurtit i lejohet gjithçka.”

 

Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe rrëmbimit të tre policëve të kufirit të Kosovës nga njësitë speciale serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *