Një grua iraniane është dënuar me 74 të goditura me kamxhik dhe gjobë për fyerje të moralit islamik për mosmbajtjen e shamisë islame, njoftoi autoriteti gjyqësor.

Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, mbajtja e hixhabit (mbulesa e kokës) ka qenë e detyrueshme në Iran për të gjitha gratë, përfshirë të huajat, të cilat duhet të mbulojnë flokët e tyre në publik.

“E dënuara Roya Heshamti inkurajoi tolerancën (duke dalë) në mënyrë të neveritshme në vende të mbushura me njerëz në Teheran”, njoftoi mbrëmë agjencia e lajmeve Mizan Online.

“Dënimi me 74 kamxhik është kryer në përputhje me ligjin dhe sheriatin dhe për shkelje të moralit të njerëzve”, shtoi Mizan Online.

Avokati i gruas së dënuar, Maziar Tatati, i tha gazetës Shargh, gazetës kryesore reformiste në Iran, se klientja e tij u arrestua në prill “sepse ajo postoi një foto të saj në rrjetet sociale ku nuk mbante shami”.

Muajt e fundit, gjithnjë e më shumë gra janë shfaqur pa shami në publik, veçanërisht pas lëvizjes protestuese të shkaktuar nga vdekja në paraburgim në shtator 2022 e Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia e moralit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes.

Përballë akteve të mosbindjes së grave për përdorimin e hixhabit, autoritetet u përpoqën të ashpërsonin masat duke paralajmëruar më shumë kontrolle, kryesisht duke përdorur kamera dhe duke arrestuar aktorë që pozonin pa hixhab në rrjetet sociale.

Në shtator, parlamenti votoi në favor të një projektligji që do të ashpërsonte dënimet për njerëzit që shkelin kodin e veshjes. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *