Subscribe

Një drejtësi e pakthyeshme, afatgjatë dhe pa ndikime politike. Me këto mesazhe iu drejtuan ndërkombëtarët krerëve të institucioneve të drejtësisë në vend. I ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, David Wisner në fjalën e tij në aktivitetin në ditën e Drejtësisë, tha se pritshmëritë janë të larta dhe se politika duhet të bëjë më shumë pavarësisht sfidave dhe presioneve.

“Sfidat me të cilat përballeni janë të mëdha, ka pengesa dhe do të ketë më shumë vetting. Duke qenë se ka presion politik pritshmëritë publike janë të mëdha. SHBA është krenare që punon me drejtësinë për të ndihmuar Shqipërinë që të ketë një të ardhme më të mirë. Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme. Presim që institucionet në drejtësi të jenë afatgjatë”, tha i ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë, David Wisner.

Reforma në drejtësi është mbështetur edhe nga ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato, i cili theksoi se drejtësia nuk ka hapa pas, por I kërkoi politikës që të mbështesë SPAK.

“Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme. Përpjekjet për të konsoliduar arritjet e SPAK duhet të mbështeten nga të gjithë komponentët e shtetit duke përfshirë dhe qeverinë. Me këtë reformë është bërë shumë por sigurisht ka ende punë për të bërë.”, tha ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato.

Presidenti Bajram Begaj shtoi se drejtësia e re i ka dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Për herë të parë kultura e pandëshmueshmërisë është goditur thellë. E rëndësishme është ripërtëritja e trupës me gjyqtarë dhe prokurorë që sistemi të jetë imun. Suksesi garantohet vetëm nëse transformimi garantohet nëpërmjet punës. Së bashku garantoni ripërtëritjen e shpejtë të sistemit me magjistratë profesionistë. Duhet të jeni të vetëdijshëm se drejtësia e re nuk është anonime. Sistemi është i juaji mbajeni të pastër atë”, tha Begaj.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili garantoi se përtej sfidave dhe problematikave, qeveria mbetet e vendosur për të mbështetur institucionet e drejtësisë./Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *