Parisi zyrtar po punon për një metodologji të re të zgjerimit që do t’u ofrohet vendeve anëtare të BE-së me qëllim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Nënkryetarja e Senatit Francez, Ellen Conway-Moure tha nga Shkupi ku u takua me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane, Artan Grubi, se diskutimet u zhvilluan fundjavën e kaluar.

 

Senatorja bëri të ditur se presidenca franceze është në përfundim të hartimit të metodologjisë së re për zgjerimin dhe ka punuar në mënyrë intensive mbi përgatitjen e këtij plani. Ai do t’i propozohet vendeve tjera anëtare për miratim në mënyrë që të zhbllokohet udhëtimi jo vetëm i Maqedonisë së Veriut por edhe Shqipërisë dhe vendeve tjera aspirante drejtë anëtarësimit të plotë në BE.

Zyrtarja franceze u tregua optimiste se nëse kryhen detyrat e shtëpisë deri në maj të vitit të ardhshëm, atëherë edhe nga ana e Francës mund të ketë hap pozitiv dhe ka gjasa që të ketë lajme të mira në Samitin e Zagrebit.

 

Ndërkohë burime për mediat gjermane bëjnë me dije se kjo metodologji e Parisit zyrtar fillimisht u dërgua në Berlin për mendim dhe aktualisht ndodhet në një proces konsultimi. Të njëjtat burime sqaruan se dokumenti do t’i paraqitet Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare në BE.

 

Në të njëjtën linjë është shprehur dhe Ministri i Jashtëm Francez, Jean-Yves Le Drian, i cili, në një intervistë me të përditshmen greke Ta Nea, tha se Shqipëria dhe Maqedonia e veriut janë kandidatët më të pjekur për të filluar negociatat, pasi të jenë përfunduar reformat e nevojshme.

Kryediplomati Francës përmendi dy parime mbi të cilat Franca pret të reformojë procesin e pranimit përpara samitit të Zagrebit. Së pari, do të sigurohen përfitime konkrete për të dyja shtetet nëse ato përparojnë me reformat dhe së dyti, vendi kandidat mund të rikthehet nëse ka një pengesë në negociatat e anëtarësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *