PD nesër protestë kombëtare, Berisha thirrje qytetarëve: Të gjithë në shesh!

Partia Demokratike ka thirrur një protestë kombëtare ditën e nesërme në orën 12:00.
Përmes një deklarate për mediat, Berisha u ka bërë thirrje anëtarëve, mbështetësve të PD-së dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar atë si një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për protestuesit që prej ditësh po protestojnë.
“Dëshiroj të ftoj edhe njëherë çdo qytetar dhe qytetare, me të gjithë fëmijët e tyre të rritur, gjimnazistë, adoleshentë në klasa të nënta, të teta, të gjithë në shesh nesër, t’u shprehim mbështetjen tonë të plotë, t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë, t’u shprehim dashurinë tonë, respektin tonë studentëve për revoltën e tyre”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se protesta e nesërme synon t’i përcjellë qeverisë mesazhin se studentët nuk janë vetëm dhe se kanë mbështetjen e shoqërisë shqiptare.
“Nesër i japim një mesazh qeverisë se studentët kanë dhe do të kenë mbështetjen e plotë dhe mburojën e plotë të shoqërisë shqiptare”, u shpreh ai.
Berisha vlerësoi qëndrueshmërinë e protestuesve gjatë protestave të ditëve të fundit, duke thënë se ata kanë fituar simpati edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, protesta është një lëvizje kundër korrupsionit, vjedhjes së zgjedhjeve dhe mbrojtjes politike të zyrtarëve të përfshirë në afera.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve, duke pretenduar se efektivë dhe persona të tjerë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.
“Studentët në revoltën e tyre kërkojnë që të mbeten fëmijë të këtij vendi. Kërkojnë që ëndrrën e tyre më të bukur rinore ta ndërtojnë në Shqipëri dhe për Shqipërinë, për veten dhe familjet e tyre. Të gjithë me studentët, të gjithë në Tiranë, kjo duhet të jetë motoja jonë nesër”, përfundoi Berisha.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike është parashikuar të nisë në orën 12:00.




