Partia Demokratike, e përfaqësuar nga ish-deputetja Izmira Ulqinaku shprehet se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka ofenduar qytetarët e Shkodrës gjatë një interviste të dhënë këtë të hënë.

 

Në përgjigje të ministrit teksa i cilësoi shkodranët se “kanë mungesë përgjegjshmërie”, Ulqinaku tha se në këtë situatë, mungesë përgjegjshmërie ka treguar vetëm qeveria Rama, për të cilën theksoi se nuk zbaton rekomandimet e OBSH-së për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

 

“Ministri Lleshaj në intervisten e dhënë sot në Shkodër ka ofenduar qytetarët duke cilësuar: ‘Kanë mungesë përgjegjshmërie’. Në të vërtetë mungesë përgjegjshmërie në këtë situatë ka treguar vetëm Qeveria Rama, e cila nuk zbaton rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë: test, test dhe gjurmim të të infektuarve. Shkodra është shembulli se si Qeveria sillet me shqiptarët. Të vetmet deklarata që degjojmë janë ulërima për izolim e kërcënimet për burg.”

 

Sipas saj, Shkodra është lënë në mëshirë të fatit dhe e braktisur, ndërsa e konsideroi një formë propagande vizitën e ministrit Lleshaj.

 

“E lanë në mëshirë të fatit, e braktisën qytetin tonë. Asnjë test! Edhe në rastet e zbuluara asnjë gjurmim. Pasi lejuan të hyjë Shkodra nën darët e Covid-19, tani bëhen të gjallë e vijnë e kakarisin si gjeli në grumbull të plehut.Vizita e Lleshajt sot, i vlen vetëm propagandës e jo Shkodrës. Shkodrës kur i duhej mbështetja nga Qeveria, e braktisen. Tani, në vend që të shfryjë duf ndaj shkodranëve, do ishte e duhur të sillnin tamponë e të bënin qindra testime.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *