Partia Demokratike renditi pesë propozime që sipas saj, do të ndihmojnë në menaxhimin e krizës së shkaktuar nga pandemia.

Ekspertët demokratë të shëndetësisë ngulin këmbë se duhet të ketë sa më shumë testime, qytetarët të pajisen me maska falas, të ketë një buxhet më të madh për krizën dhe të organizohet më mirë sistemi shëndetësor.

“1. Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet laboratorike, me rimbursim për qytetarët.

2. Pajisja masive gratis me maska të qytetareve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publik duke i paraprirë kështu “hapjes”.

3. Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm të ri gjatë procesit të “hapjes”.

4. Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve, që nga ana e tyre duhet t’i shperndajnë më poshtë, për të shfrytëzuar kështu të gjitha kapacitetet dhe arritur të shkohet në çdo banesë e kontaktuar çdo individ.

5. Rritje e menjëhershme e buxhetit nga qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara.”

Sipas demokratëve, kryeministri Edi Rama ka dështuar në përballimin e krizës nga COVID-19 dhe prandaj duhet të pranojë propozimet e tyre.

“Qëndrimi ynë është i qartë, “hapja” duhet të fillojë të implementohet, e bazuar në një plan dhe një strategji, e cila merr parasysh gjithë kapacitetet e vendit dhe është transparente dhe e kuptueshme për të gjithë. Të mos harrojmë që për këtë na duhet bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve, sespe pa sakrificën dhe rolin e tyre nuk mund të zbatohet me sukses asnjë masë. Kyeministri nuk ka pse kompleksohet nga propozimet e PD-së, sepse ai ka treguar se është i paaftë për të menaxhuar krizën dhe se nuk ka asnjë plan, por vetëm propozime sporadike.”

Ndërkohë, kreu i qeverisë më herët në përgjigjet që i ka dhënë opozitës ka deklaruar se strategjia që ndiqet për kontrollin e pandemisë është e konsultuar me ekspertët më të mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *