Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, pak orë para takimit të tij në rezidencën Mar-a-Lago në Florida me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Trump e përshkroi bisedën si “të mirë dhe shumë produktive” përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi komunikimin pa dhënë detaje mbi temën e diskutimit. Takimi me Zelenskyn zhvillohet në përpjekje për të arritur një marrëveshje paqësore që mund të vendosë një fund për gati katër vite konflikt në Ukrainë.
“Sapo pata një telefonatë të mirë dhe shumë produktive me Presidentin Putin të Rusisë, përpara takimit tim, në orën 1:00 pasdite sot, me Presidentin Zelenskyy të Ukrainës. Takimi do të zhvillohet në sallën kryesore të ngrënies të Mar-a-Lago-s. Media është e ftuar. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!
Presidenti DJT”

Zelensky, i cili tashmë ndodhet në SHBA, ka deklaruar se në axhendë do të jenë garantimet e sigurisë dhe mbështetja ekonomike për Ukrainën, si dhe çështje territoriale, duke përfshirë rajonin e Donbasit. Përpara takimit, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit me raketa dhe dronë, për të rritur presionin ndaj Ukrainës, ndërsa Zelensky thekson se vendi i tij është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të ndalur luftën, duke kërkuar mbështetjen e plotë të Europës dhe SHBA-së.
Ditën e shtunë në Halifax, Zelensky u takua me kryeministrin kanadez, Mark Carney, i cili njoftoi ndihmë shtesë ekonomike prej 2.5 miliardë dollarësh për rindërtimin e Ukrainës dhe theksoi rëndësinë e presionit ndaj Rusisë për arritjen e paqes. Takimi personal midis Trump dhe Zelenskyt vjen pas shkëmbimit të projekt-dokumenteve paqësore, me Zelenskyn që deklaroi se plani 20-pikësh është “90% gati”, ndërsa SHBA-të kanë pranuar të ofrojnë garantime sigurie për Ukrainën të ngjashme me ato të vendeve anëtare të NATO-s, duke përfshirë mundësinë që Ukraina të heqë dorë nga synimi i anëtarësimit në Aleancë në këmbim të këtyre garancive.
/vizionplus.tv





