Subscribe

Objektivi i qeverisë për të ofruar pagesën e shërbime publike online nga bankat duket se ka mbetur në vendnumëro.

Sot vetëm një bankë në treg ofron këtë procedurë, ndërsa dy janë shërbimet, certifikata për fiskalizimin dhe nënshkrimi elektronik.

Lexo edhe :

Related Posts

Të gjitha bankat e tjera janë në pritje për të krijuar lidhjen me Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Sekretari i shoqatës së bankave i ftuar në “E-ZONE” në Vizion Plus, thotë se deri më tani ky proces nuk është marrë seriozisht.

“Më në fund u ça gardhi, të paktën një bankë ka arritur të dalë e të ofrojë këtë shërbim, por problemi është numri i tyre. Është shumë i vogël. Janë vetëm dy shërbime gati nga AKSHI dhe nga gjithë institucionet e tjera publike që ofrojnë dhe kanë komisione apo tarifa për shërbimet e tyre që mund të lidhen me sektorin bankar, ndërkohë që janë 6-7 banka të tjera në proces të përfundimit të lidhjes me AKSHI-n, por sërish kjo lidhje dhe ky ofrim shërbimi është shumë i kufizuar. Sot për shembull shumica e qytetarëve kanë për të paguar hipotekën. Ne në këtë lidhje nuk e kemi hipotekën gati. Nuk e ka AKSHI, nuk e ofron. Janë dy shërbime, certifikimi për fiskalizimin dhe nënshkrimi elektronik. Vetëm këto dy tarifa mund të paguhen. Unë nuk dua të bëj me përgjegjësi vetëm AKSHI, sepse janë edhe institucione të tjera që ofrojnë, fjala është për kadastrën apo institucione të tjera që kanë shërbime të tilla”, tha Brumbulli në Vizon Plus.

Shoqata e bankave kërkon një zgjidhje shteruese për këtë reformë. Bankat do të kërkojnë dhe një takim me zv.kryeministren për t’i dhënë zgjidhje edhe procesit tjetër, atij të plotësimit të dosjes së kredimarrësit, pa qenë e nevojshme të vijë aplikanti në bankë.

“Kemi mbi 5 vite që po merremi me këtë çështje dhe për fat të keq jemi sorollatur nga AKSHI dhe tani duam t’i drejtohemi zv.kryeministres, meqë është autoriteti që ka nën varësi AKSHI-n për të na krijuar mundësinë e një tryeze të rrumbullaktë dhe një bisede shteruese, nëse do të bëhet apo nuk do të bëhet. Ne jemi të pakënaqur me mënyrën sesi jemi përcjellë gjatë gjithë këtyre viteve. Ndërkohë që është një lehtësi shumë e madhe dhe qeveria e ka pjesë të programit të vet këtë derregullimin, lehtësimin e shumë kërkesave burokratike, të shtrënguara dhe të tepërta, dhe një nga këto është kjo. Ne njerëzit i kemi në punë. Ai duhet të shkëputet nga puna dhe të vijë në bankë, sepse banka ka orarin e punës atëherë kur vetë personi është në punë”,  tha Brumbulli.

Qeveria kërkoi që pagesa e shërbimeve publike të kryhet nga platforma “E-Albania”. Por ky proces duket se ka ngecur dhe ende nuk ka një zgjidhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *