Donald Trumpi po përballet me probleme të reja ligjore.

 

Një ditë më parë, Prokurorja e qarkut të Fultonit, Fani Willis, paditi ish Presidentit dhe 18 aleatë të tij, lidhur me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.

 

Kjo çështje penale është e kartërta kundër ish-presidentit dhe e dyta këtë muaj, që pretendon se ai u përpoq të ndërhynte në zgjedhje.

 

Xhorxhia ishte një nga shtetet ku zoti Trump humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden me rezultat të ngushtë.

 

Ish Presidenti Donald Trump ka afat deri në mesditën e së premtes së javës së ardhshme, më 25 gusht, që të dorëzohet tek autoritetet në Atlanta.

 

Kjo pas aktpadisë së ngritur nga një juri e madhe në shtetin e Xhorxhias kundër zotit Trump dhe 18 personave të tjerë, në lidhje me përpjekjet për të përmbysur në mënyrë të paligjshme humbjen e tij në këtë shtet, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

Trembëdhjetë akuzat në aktpadinë me 97 faqe kundër zotit Trump, të cilat u publikuan të hënën vonë, përfshijnë shantazhin, shkeljen e betimit të presidentit, komplotin për të kryer falsifikim dhe për të paraqitur dokumente të rreme dhe shkelje të tjera.

 

Në mesin e të akuzuarve janë edhe ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani dhe një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i administratës së zotit Trump, Jeffrey Clark.

 

“Çdo individ i akuzuar në këtë aktpadi, akuzohet për pjesëmarrje në një sipërmarrje kriminale në bashkinë e Fultonit në Xhorxhia dhe vende tjera, për të përmbushur qëllimin e jashtëligjshëm, për t’i mundësuar Donald Trumpit vjedhjen e mandatit presidencial, duke filluar nga 20 janari i vitit 2021”, tha prokurorja e qarkut të Fultonit, Fani Willis.

 

Akuza ngre pretendime të shumta, duke përfshirë përpjekjen për të bindur ligjvënësit e Xhorxhias që të veprojnë kundër rezultatit të zgjedhjeve, të emërojnë një listë anëtarësh të kolegjit zgjedhor në favor të zotit Trump dhe vjedhjen e të dhënave të votimeve.

Prokurorja Willis tha se caktimi i datës së gjyqit është në dorë të gjykatësit, por zyra e saj do të propozonte që gjyqi të zhvillohet në gjashtë muajt e ardhshëm.

 

Akuzat vijnë pas hetimeve për dy vjet e gjysmë që buruan nga një telefonatë e regjistruar e zotit Trump në fillim të vitit 2021 me Sekretarin e shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, në të cilën ai dëgjohet duke i kërkuar atij që t’i “gjente” 11,780 vota, një më shumë se diferenca e fitores së presidentit Joe Biden në këtë shtet.

 

Disa ditë më vonë, mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin në Uashington, në një përpjekje të pasuksesshme për të penguar ligjvënësit të certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden.

Ekipi i ish presidentit nuk priti zbardhjen e akuzave për të reaguar, duke akuzuar Prokuroren Willis se është një “partizane e tërbuar” që qëllimisht e ka zgjedhur kohën e hetimit të veprimeve të zotit Trump, që të përkojë me zgjedhjet, duke ndërhyrë kështu garën presidenciale të vitit 2024 dhe për të dëmtuar fushatën e tij.

 

Në faqen e tij të mediave sociale “Truth”, të hënën zoti Trump shkroi me shkronja të mëdha: “A do t’i tregojë dikush jurisë së madhe të qarkut Fulton se unë nuk i manipulova zgjedhjet. Në mesin e njerëzve që i manipuluan ato është mjerisht edhe Fani Willis, e cila në mënyrë tronditëse ka lejuar Atlantën të bëhet një nga qytetet më të rrezikshme në botë, nuk ka asnjë interes të shohë sasinë masive të provave në dispozicion, ose të zbulojë se cilët janë këta njerëz që kanë kryer këtë krim”.

 

Prokurorja Willis i mohon akuzat se rasti kundër zotit Trump është i motivuar politikisht.

 

“Unë marr vendime bazuar në fakte dhe ligj. Ligji është tërësisht jopartiak. Kështu vendoset në çdo rast… Kemi ndjekur të njëjtat parime. Ne shikojmë faktet, ligjin dhe ngremë akuzat”, tha ajo.

 

Xhorxhia ishte një nga disa shtete ku zoti Trump humbi me rezultat të ngushtë dhe u përpoq pa sukses të përmbyste rezultatin, ndonëse dhjetëra gjyqtarë vendosën kundër pretendimeve të tij për mashtrime zgjedhore.

 

Zoti Trump kryeson mes kandidatëve republikanë për emërimin si kandidat presidencial të partisë për zgjedhjet e vitit 2024.

 

Ndërkohë, ai po përballet edhe me dy padi federale, si dhe një padi tjetër nga shteti i Nju Jorkut.

 

Dy javë më parë, Prokurori i Posaçëm Jack Smith, ngriti një aktpadi me katër akuza, në të cilën zoti Trump akuzohet për komplot, së bashku me gjashtë të pandehur, të paidentifikuar, për të përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat ai i humbi.

 

Prokurori Smith ka ngritur një tjetër akuzë ndaj zotit Trump, në Florida, për mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitit 2021.

 

Ndërsa në Nju Jork, zoti Trump është akuzuar për ndryshimin e të dhënave të biznesit, për të fshehur një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave për të rritur, para kandidimit të tij të suksesshëm për postin e presidentit në vitin 2016.

 

Ish presidenti Trump i ka mohuar akuzat në të gjitha rastet./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *