Të akuzuar se kanë siguruar kushtet për të vrarë, SPAK merr të pandehur tre persona, Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, që dyshohet se i shërbenin bandës së Safet Bajrit.
Bëhet fjalë për atentatin e dështuar ndaj Aleksandër Prendit në Shkodër, dy vjet më parë.
Në vendngjarje sipas dosjes hetimore të siguruar nga Vizion Plus, janë gjetur 34 gëzhoja, që rezultojnë se kanë dalë nga dy armë të ndryshme ndërsa shkak i konfliktit të armatosur dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës.
SPAK: Nën përdorimin e armës të pandehurit në datën 23 gusht 2024 rreth orës 17.00 të pasdites janë nisur së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar deri tani me tre mjete të blinduara, nga zona e Dobraçit në drejtim të fshatit Rranxa, në Njësinë Administrative Vau i Dejës, zonë ku kishte banesën i pandehuri Aleksandër Prendi. Të pandehurit kanë qenë të armatosur dhe kanë shkuar në këtë zonë, me qëllim vrasjen e të pandehurit Aleksandër Prendi. Motive besohet të jetë i lidhur me mosmarrëveshje të krijuara për shkak të lëndëve narkotike.
Ata u nisën për të ekzekutuar Aleksandër Prendin, pa e llogaritur kundërpërgjigjen me armë zjarri të këtij të fundit. Shkëmbimi i zjarrit bëri që edhe objektivi i atentatit të vihet nën akuzë nga dy prokuroret e posaçme Manjola Kajana dhe Elida Kaçkini.
SPAK: Në kohën që ata kanë kaluar në këtë zonë janë qëlluar me armë zjarri nga i pandehuri Aleksandër Prendi, i cili gjithashtu provohet të ketë qenë i armatosur, por të ketë kuptuar arsyen pse të pandehurit janë gjendur aty. Ndërmjet tyre ka patur shkëmbim zjarri, ku nuk ka të dhën për dëmtim të shëndetit të personave të përfshirë në këtë ngjarje apo përsona të tjerë, por vetëm dëmtime të mjeteve me të cilat këto të pandehur kanë qenë duke lëvizur.
Nga celuluari i sekuestruar që i përket të pandehurit Izmir Sakica janë gjetur foto dhe video të shumta armësh të llojeve të kalibrit të ndryshëm. Në galerinë telefonike shfaqet i pandehuri Izmir Sakicaj, në disa raste i shoqëruar me persona të tjerë, teksa gjuan me armë.





