Subscribe

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për tenderin e zhvilluar nga Banka e Shqipërisë për rikonstruksionin e ish-hotel “Dajtit”. Lajmi konfirmohet nga organi i akuzës.

 

Mësohet se hetimet kanë nisur kryesisht për pabarazi në tender dhe për shpërdorim detyre. Hetuesit kanë nisur me verifikimin e plotë të dokumentacionit për të mësuar me shume rreth procedurës së ndjekur për këtë tender.

 

Por hetimeve të prokurorisë, do t’i bashkëngjitet edhe një auditim që Kontrolli i Lartë i Shtetit do të nisë përpikërish për këtë prokurim.

 

Burime nga ky institucion konfirmuan për Vizion Plus se edhe KLSH do të auditojë Bankën Qendrore.

 

Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një tender me një vlerë 16 milion euro për të rikonstruktuar godinën e ish-hotel Dajtit në një mungesë të plotë transparence dhe larg syrit e vëmendjes së grupeve të interesuara për të marrë pjesë në garë. Dyshimet për një aferë korruptive në këtë proces u shtuan edhe më shumë kur banka refuzoi të japë shpjegime lidhur me garën e zhvilluar. Askush nuk e di sot se cfare e pengon bankën të bëjë publik emrin e kompanisë fituese, kush ishin 7 firmat pjesëmarrëse në garë, si dhe kriteret e përcaktuara për  fituesin. Të gjitha këto pikëpyetje që vijojnë në mënyrë të pakuptimtë të mos marrin përgjigje nga Banka e Shqipërisë do të zbardhen nga prokuroria, e cila ka marrë në dorë këtë situatë.

 

Por sikur të mos mjaftoje mungesa e transparencës zyrtarë të bankës kanë zgjedhur të shmangin edhe njoftimin e mediave që duan të hedhin dritë mbi këtë aferë, lidhur me aktivitet që zhvillon ky institucion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *