Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca e ka cilësuar këtë të martë një ditë historike për Shqipërinë, pas vendimit për hapjen e negociatave.

 

Soreca shkruan se Shqipëria tashmë ka një status të ri përballë Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar që t’i bashkohet sa më shpejt familjes së madhe evropiane.

 

 

“Sot është një ditë historike për Shqipërinë. Shtetet anëtare kanë marrë vendimin unanim për të hapur negociatat e pranimit. Dëshiroj ta uroj Shqipërinë për hapin e madh të bërë drejt anëtarësimit në BE. Ajo çka ndryshon nga sot është se Shqipëria ka një status të ri përballë Bashkimit Evropian. Tani e tutje, do të zbatohen një sërë rregullash të reja që do ta ndihmojnë popullin shqiptar që t’i bashkohet, sa më shpejt që të jetë e mundur, familjes që i përket. Metodologjia e re e paraqitur nga Komisioni dhe përparimi i qëndrueshëm i bërë nga Shqipëria në muajt e fundit kanë qenë të rëndësishme për marrjen e vendimit të sotëm. Dua të theksoj veçanërisht frymën e kompromisit dhe unitetit të treguar nga të gjitha palët politike për reformën zgjedhore.”

 

Diplomati theksoi se shtetet anëtare të BE-së kanë kërkuar gjithashtu që Shqipëria të marrë masat përfundimtare në disa fusha të rëndësishme, ndërsa shtoi se qeveria duhet të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm.

 

“Cilat janë hapat e ardhshëm? Shtetet anëtare i kanë dhënë mandatin Komisionit që të fillojë përgatitjen e rregullave të lojës, e ashtuquajtura kornizë e negociatave. Shtetet anëtare kanë kërkuar gjithashtu që Shqipëria të marrë masat përfundimtare në disa fusha të rëndësishme në mënyrë që të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur Konferenca e parë Ndërqeveritare. Tani është thelbësore që vendi të bashkohet dhe t’i realizojë këto masa. I takon kryesisht qeverisë të ndërmarrë veprime dhe të përgatisë menjëherë një plan të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm. Por kjo punë është një përpjekje e gjithë shoqërisë, që do të ketë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, opozitës dhe shoqërisë civile. Muajt ​​e fundit kanë qenë shumë sfidues për popullin shqiptar. Tërmeti i 26 nëntorit ju goditi rëndë dhe kriza e tanishme COVID-19 po e trondit vendin. Por ju keni reaguar dhe po reagoni me sakrificë, kurajë dhe angazhim.”

 

Ndër të tjera, Luigi Soreca u shpreh se BE do të vazhdojë të qëndrojë pranë shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *