Subscribe

Deputeti i opozitës parlamentare,Myslim Murrizi padit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ish-ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të po të njëjtit institucion, Vojo Bregu.

 

Në kallëzimin e tij penal, Myslim Murrizi pretendon se dy ish-funksionarët e lartë gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së tyre gjatë periudhës 2013-2017 kanë abuzuar me dy tendera në Bashkinë e Lushnjes.

 

Sipas deputetit të opozitës parlamentare, ish-ministri i Bujqësisë dhe sekretari i tij i përgjithshëm kanë abuzuar me paratë publike në dy tendera. I pari për projektin me vlerë 6 milionë euro për sistemin e ujitjes në Bashkinë Divjakë për ujitjen e 2800 hektarëve tokë dhe i dyti për blerjen e 1912 lopëve nga Danimarka me vlerën e 4.5 milionë eurove.

 

Pas dorëzimit, Myslim Murrizi, në një deklaratë për mediat, pretendon se sistemi i ujitjes në Bashkinë Divjakë nuk u vu asnjëherë në punë, ndërsa vlera e blerjes së një lopë në tender është vënë 3 herë më e lartë nga çmimi i tregut.

 

Në një reagim të tijin, ish-ministri i Bujqësisë, aktualisht drejtor kabineti në Presidencë, i është përgjigjur Myslim Murrizit, duke i thënë të kërkojë shënjestrën e opozitarizmit.

 

Duke e cilësuar si padinë më unike në botë, Edmond Panariti, shkruan se nuk ekziston asnjë tender i zhvilluar nga Ministria e Bujqësisë për sistem të vaditjes me pika me ujë të lumit Shkumbin për Bashkinë e Divjakës. Kjo, thotë ish-ministri është lehtësisht e verifikueshme. I vetmi investim madhor i realizuar në Sistemin Kombëtar të Vaditjes , ka qenë ai i Bankës Botërore, tanimë i kryer dhe i funksional prej pesë vitesh nga bashkitë përfituese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *