Me iniciativë të Ministrisë së Mbrojtjes së Austrisë u zhvillua në Krems të Austrisë Konferenca e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Formati – “Graz”. Me ftesë të palës austriake në takim morën pjesë ministrat e Mbrojtjes dhe përfaqësues të nivelit të lartë të Austrisë, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

 

Delegacioni shqiptar kryesohej nga ministri i Mbrojtjes, z. Niko Peleshi.

 

Konferenca ka për qëllim zbatimin e Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor në drejtim të qëndrueshmërisë, stabilizimit të rajonit dhe pre-anëtarësimit në Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Pjesëmarrësit u njohën mbi inovacionet më të fundit të CSDP nga përfaqësues të nivelit të lartë të Komisionit Evropian.

 

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi politikat e mbrojtjes, për të promovuar bashkëpunimin rajonal në formën e programeve dhe aktiviteteve, me qëllim rritjen e ndërveprimit rajonal për Operacionet e Mbështetjes së Paqes (PSO) të drejtuara nga BE-ja, operacionet ndërkufitare të menaxhimit të fatkeqësive natyrore dhe transmetimin e vlerave ushtarake/kulturore të Evropës Perëndimore, për të promovuar rritjen e stabilitetin dhe besimit  reciprok në rajon.

 

Ministri i Mbrojtjes, zoti Niko Peleshi, ndër të tjera vuri në dukje rëndësinë që ka për çdo iniciativë rajonale “Politika e Dyerve te Hapura” për të gjitha vendet e rajonit. Përfshirja e Kosovës dhe të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet parimi themelor ku mbështet zhvillimi rajonal në të gjitha fushat.

 

Në përfundim të takimit u nënshkrua Deklarata e Përbashkët me të cilën synohet rritja e bashkëpunimit rajonal në fushat e “Dialogut Strategjik” dhe “Ndërtimit të Kapaciteteve”. Gjithashtu u ra dakord se të gjitha vendet pjesëmarrëse mbeten të angazhuara për një “Politikë të Dyerve të Hapura”, duke mirëpritur çdo vend i cili ndan të njëjtat parime dhe kontribuon në sigurinë rajonale.

 

Gjate kësaj konference, ministri Peleshi zhvilloi takime të shkurta informale me homologët e tij nga Austria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *