Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në një intervistë për emisionin Quo Vadis në Vizion Plus me Pranvera Borakajn ka folur për situatën e krijuar në Izrael, pas sulmeve të Hamasit.

 

Ministri Hasani tha se Shqipëria dënon sulmet terroriste, ndërsa shtoi se masakrat e Hamasit nuk i ka parë njerëzimi.

 

Sa u takon shqiptarëve që janë në Izrael, Hasani tha se janë në kontakt të vazhdueshëm dhe po mendohet një fluturim i dytë për kthimin e tyre në atdhe.

 

Intervista e plotë:

 

Pranvera Borakaj: Të shtunën militantët e Hamasit ndërmorrën një sulm të befasishëm ndaj Izraelit. Në çdo minutë që kalon, rritet bilanci i viktimave, të plagosurëve dhe pengjeve. Sa u takon shtetasve shqiptarë, a mund të flasim me siguri në këto momente që nuk kemi persona të lënduar?

 

Igli Hasani: Kam 60 orë që jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadoren tonë në Tel Aviv Meri Kumbe dhe kemi diskutuar në radhë të parë për shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë shtetasve shqiptarë në Izrael dhe nuk kam asnjë njoftim për të lënduar apo persona të cilët mund të kenë probleme për shkak të këtij sulmi të tmerrshëm, të terroristëve të Hamasit ndaj shtetit të Izraelit.

 

 

Pranvera Borakaj: Ky është një lajm shumë i mirë dhe shpresojmë që në këtë situatë të tensionuar të mos kemi asnjë person të lënduar të paktën nga shtetasit shqiptarë. Zoti ministër, ju të dielën në mbrëmje në Rinas keni pritur 40 qytetarët e parë që janë rikthyer nga Izraeli në Shqipëri. A kemi ne një përllogaritje, një numër të saktë të shqiptarëve që pritet apo presim që të kthehen në atdhe?

 

 

Igli Hasani: I kam kërkuar ambasadores tonë në Tel Aviv që të vazhdojë kontaktin me të gjithë ata shqiptarë, të cilët po vazhdojnë të jenë në shtetin e Izraelit. Ne po bëjnë çfarë është e mundur, që jo vetëm të regjistrojmë kërkesat që na vijnë, por të krijojmë edhe mundësinë rikthimit në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për operacione evakuimi, por bëhet fjalë për një mundësi që çdo qytetar duhet ta ketë dhe i ofrohet në situata të tilla, për sa kohë që ata vazhdojnë veprimtarinë e tyre si studentë, turistë apo edhe tregtarë. Kemi bërë të mundur sjelljen edhe të shtetasve nga Rajoni, janë disa shtetas maqedonas, disa shtetas kosovarë  dhe vazhdojmë të jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me të gjithë ata që do të kërkojnë të kthehen. E rëndësishme është që ambasada jonë në Tel Aviv vijon punën dhe megjithëse kam kërkuar kthimin e stafit jo të rëndësishëm, ambasadorja është në krye të detyrës dhe komunikon në mënyrë të vazhdueshme, si  me Tiranën, ashtu edhe me ata shqiptarë që kërkojnë ndihmën e saj.  

 

Pranvera Borakaj: Kemi një numër afërsisht, dhe ditën e sotme në mëngjes, ishte parashikuar që do kryhej një tjetër fluturim nga Tel Aviv në Tiranë. Pse është anuluar?

 

Igli Hasani: Nuk ka një fluturim në dijeninë time të organizuar nga Ministria e Jashtme, nuk ka anulime..

 

Pranvera Borakaj: Nuk ka pasur?

 

Igli Hasani: Nuk ka një komunikim të tillë nga Ministria e Jashtme. Ne vazhdojmë të presim dhe të regjistrojmë thirrjet që na bëhen, por numrat janë subjekt në ndryshim gjatë orëve.

 

Pranvera Borakaj: Zoti ministër, ju përmendët pak më parë që në 40-çen që erdhi mbrëmjen e të dielës nga Tel Aviv në Tiranë nuk pati vetëm shtetas nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Është vetëm aeroporti i Rinasit që ka fluturime nga Tel Aviv apo ju jeni në komunikim edhe me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut që shkojnë shtetas shqiptarë?

 

Igli Hasani: Ky ka qenë një fluturim i nisur nga Tirana drejt Tel Avivit dhe ka qenë një mundësi që ky fluturim në kthim të merrte çdo njeri të mundshëm që  mund të ishte aty i pranishëm.

 

Pranvera Borakaj: Po për pjesën tjetër, përsa i përket pjesës së shqiptarëve të tjerë të cilët nuk mund të vijnë në atdhe apo shtetasve nga Kosova Maqedonia, si do të procedohet në vijim?

 

Igli Hasani: Të gjithë shtetasit shqiptarë, apo ata të rajonit të cilët do të regjistrohen pranë ambasadës tonë në Tel Aviv do u jepet shumë shpejt mundësia për një fluturim tjetër, bazuar edhe në situatën në terren. Fluturimet janë rralluar në mënyrë drastike,  dhe nuk jam fort i sigurt që në këto momente që ne po flasim ka ende fluturime.

 

Pranvera Borakaj: Zoti ministër, përsa u përket qytetarëve shqiptarë të cilët janë në Izrael, si është organizimi i tyre edhe nga kontaktet që keni me ambasadoren. Janë ata të grumbulluar diku apo thjesht ka komunikime se si është gjendja e tyre dhe ku janë grumbulluar?

 

Igli Hasani: Secili është në akomodim privat. Nuk ka grumbullime të qytetarëve në qendra të specializuara. Jeta vazhdon normalisht për ta, është thjesht nevoja dhe dëshira për t’i rikthyer nëse ata e shohin të arsyeshme.

 

Pranvera Borakaj: Ju e keni dënuar aktin që ditën e shtunë, ndërkohë që ditën e nesërme do të ketë një mbledhje urgjente të ministrave të Jashtëm të BE për tëq diskutuar në lidhje me konfliktin. A mund të negociojë BE një zgjidhje afatgjatë, një zgjidhje paqje mes dy vendeve, në këndvështimin tuaj?

 

Igli Hasani: Nuk më takon të interpretoj punën që do bëj BE. Ajo që është e rëndësishme është që këto akte terrori duhet të dënohen dhe të vazhdojnë të dënohen në mënyrë maksimale nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Këtu nuk bëhet fjalë për një konflikt mes dy vendeve, por bëhet fjalë për një grup terrorist si Hamasi që ka masakruar qindra njerëz të pafajshëm, gra e fëmijë dhe duhet të jemi të bashkuar në qëndrimet që ne mbajmë.

 

Pranvera Borakaj: Sa na impakton ne kjo situatë, ku vëmendja e gjithë botës, ndërsa ishte në luftën ne Ukrainë, tashmë kalon në Lindjen e Mesme. Në ambiciet që ne kemi, në të ardhmen tonë europiane por edhe gjithë situatën e Rajonit, sa na impakton ky konflikt?

 

Igli Hasani: Është një konflikt në kufijtë e afërt të rajonit tonë për të cilin ne duhet të tregojmë një vëmendje maksimale dhe të mos humbasim për asnjë moment këndvështrimin e aleatëve tanë strategjikë, këndvështrimin e një shoqërie euroatlantike e cila ëeshtë e drejtuar drejt vlerave maksimale të të drejtave të njeriut. Ajo që ka ndodhur mëngjesin e ditës së shtunë në Izraelin jugor është thjesht çnjerëzore.

 

Pranvera Borakaj: A e vështirëson punën e Shqipërisë, apo besoni që ndoshta sfidat e BE do të ndryshojnë tashmë? Apo ndoshta krizat në vendet e ndryshme nuk na impaktojnë?

 

Igli Hasani: nuk mendoj që bashkëpunimi ynë me BE, puna e përbashkët do të impaktohet nga kjo ngjarje. Thjesht bashkëpunim do të jetë më i ngushtë dhe koordinimi do të jetë më i madh. Agjencitë e specializuara do të kenë për detyrë të nxjerrin mësimet e duhura nga kjo që ka ndodhur dhe të koordinoj dhe më mirë reagimet në të ardhmen.

 

Pranvera Borakaj: Zoti ministër, ju më parë keni qenë ambasador i OSBE, në kohën kur ne kemi pasur edhe kryesimin e OSBE dhe pak më parë kishit edhe kryesimin e Këshillit të Sigurimit. A mund të kemi një qëndrim për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare  mes dy vendeve afatgjatë?

 

Igli Hasani: Në këto momente që po flasim komunditeti shqiptar duket i bashkuar për të dënuar me çdo mënyrë këtë organizatë terroriste dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë kryer ato masakra që njerëzimi nuk i ka parë. Më pas do të jemi në gjendje të flasim për formulën për të ardhmen.

 

Pranvera Borakaj: Zoti ministër unë ju falenderoj shumë për këtë lidhje direkte dhe për detajet që na dhatë.

 

Igli Hasani: Ju falenderoj dhe unë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *