Milanit nuk i mjaftoi suksesi 2 me 1 në Angli kundër New Castle për të siguruar një bilete për në fazën e 1/8 të Champions League. Në duelin fundit të fazës së grupeve të këtij kompeticioni , Kuqezinjtë u penalizuan nga barazimi 1 me 1, mes Dortmund dhe PSG, rezultat që i kënaqi të dyja këto skuadra, pasi Dortmund ruajti vendin e parë, ndërsa PSG u kualifikua si vendi i dytë në grup. Megjithatë suksesi në  transfertë  i lejoi Milanit që të ngushëllohej të paktën me kualifikimin për në Europa League. Skuadra e Piolit fitoi me përmbysje në ishull, teksa Pulisic dhe Chukueze shënuan në pjesën e dytë duke zhvlerësuar golin e vendasve me Joelinton  në minutën e 33. Italianët festuan suksesin në New Castle, por lajmet që erdhën nga Veshtfalen nuk ishin ato që dëshironte grupi kuqezi. Në Gjermani, të zotët e shtëpisë kaluan të parët në avantazh me anë të Adejemit. Mirëpo vetëm pak minuta më vonë pas një aksioni me protagonist Mbape ishte Zaire Emeero, talenti francez që mposhti portierin vendas. Pak parë fundit Dortmund pati një rast të pastër, por Rojs dhe  Humels nuk shënuan. Në shtesë të dyja ekipet u pajtuan me barazimin duke mos e marrë mundimin të kërcënonin portat respektivë.

Në grupet e tjera surprizën në rezultate e bëri Atverp i Arbnor Mujës që mundi Barcelonën 3 me 2 ndonëse katalanasit ishin kualifikuar para kohe në fazën tjetër. Sulmuesi i kombëtares sonë nuk e pati fatin të ishte pjesë e këtij suksesi historik që u vulos nga një gol në  frymën e fundit shënuar nga  Ilenikena. E megjithatë katalanasit e mbyllën grupin të parët pavarësisht pikëve të barabarta me Porton duke qenë se kanë qenë superiore në ndeshjen direkte. Portugezët duhet të kënaqen me kualifikimin, pasi mundën 5 me 3 në shtëpi në ndeshjen direkte Shaktar Donjec.

Manchester City e mbylli me pikë të plota fazën e grupeve. Kampionët e Europës në fuqi fituan edhe ndeshjen e 6 në 6 takime gjithsej. Anglezët ndonëse me shumë lojtarë stoli, fituan 3 me 2 kundër Cervena Zvezdes në Beograd. Golat u shënuan nga të rinjtë Hamilton e Bob si dhe mesfushori Filips më penallti. Në takimin tjetër Laipcig mundi 2 me 1 Yang Boys dhe e mbylli grupin në vendin e dytë me 12 pikë . Zviceranët kënaqen me vendin e tretë duke shkuar në Europa League.

Në grupin E skuadra që u rendit e para ishte Atletico Madrid e cila mundi në duelin direkt Lacion 2 me 0  falë golave të Grizman dhe Lino, ndërsa italianët kënaqen me kualifikimin në fazën e 1/8. Në Europa League përmes këtij grupi shkon Fejenord ndonëse u mund nga Celtic në takimin e fundit./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *