Biznesmenëve maqedonas, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, u ka thënë se duhet bërë më shumë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, kjo jo vetëm në interesin e biznesit, por mbi të gjitha për rritjen e ekonomive. Ai theksoi se për shkak të globalizimit, konkurrenca ka kaluar nga niveli kombëtar në rajonal dhe se shmangia e shumë barrierave ndihmon në kijrimin e një ekonomie të përbashkët rajonale.
“Rritja e shkëmbimeve me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, respektimi i rregullave të cilat na ndihmojnë të përafrojmë standardet dhe legjislacionin tonë me atë të BE-së, heqja edhe shmangia e shumë barrierave të panevojshme na ndihmon që të krijojmë një ekonomi të përbashkët rajonale, e cila të ketë mundësi të konkurrojë dhe jo vetëm të tërheqë investime të huaja në mënyrë të suksesshme, por edhe të eksportojë, çka është shumë e rëndësishme.”
Gjatë takimit, kryeparlamentari Meta komentoi edhe situatën politike në Maqedoni, duke thënë se zgjedhjet e 5 qershorit do të jenë një mundësi për të rikthyer besimin mes palëve dhe stabilitetin e të gjitha institucioneve, që do të dalin nga votat e qytetarëve të Maqedonisë.