Vetëm pak orë përpara mbledhjes së asamblesë se Partise Socialiste Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër publike të gjithë socialistëve.

 

Duke huazuar një frazë të Fatos Nanos, Meta akuzoi Edi Ramën se ka marr peng atë parti.

 

Unë hyra në Partinë Socialiste, atëherë kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është ky individ, të cilin PS e mori nga refugjat dhe e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, i cili sot ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë.

 

Por nuk është ndalur këtu. Duke ju rikthyer akuzave të artikuluara nga Rama se Meta është takuar me personazhe të botës së krimit, Ilir Meta i ka lënë një ultimatum Edi Ramës.

 

I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen. Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzëmë së bashku edhe nga Partia Socialiste.

 

Letrën e tij drejtuar socialistëve, Ilir Meta e mbyll me urimin për suksese në këtë asamble dhe me fjalët: “I juaji si gjithmonë, Me korrektesë dhe mbajtje fjale. Ilir Meta.”

 

Më shumë se një mbyllje letre, tingëllon si një tjetër mesazh për Edi Ramën.

 

E vetëm pak minuta më pas, Rama i është përgjigjur me anë të një postimi në Twitter i cili më shumë se kthim përgjigje, ngjan si një luftë batutash mes tij dhe kreut të shtetit.

 

Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria që të bëri kryeministër, kryeparlamentar, president dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sëkëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!

 

Tashmë përplasja Rama-Meta është kthyer në diskursin kryesor të politikës, por vetëm me akuza të hedhura dhe pa përgjigje të marra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *