Një punonjës i Policisë së Fierit është pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se u merrte para drejtuesve të mjeteve për të mos u vendosur gjoba kur ata shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

AMP njofton se bëhet fjalë për Inspektorin R.A me detyrë Trup Shërbimi në Trafikun Urban dhe Interurban në Seksionin e Trafikut Ubran dhe Interurban pranë DVP Fier, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Vendimi i Gjykatës erdhi në funksion të Procedimit Penal të vitit 2024, hetuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga hetimi i kryer nga AMP u dokumentua me prova se punonjësi i policisë, Inspektor R. A., gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, kryente veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masa administrative.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka vendosur masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalim i daljes jashtë shtetit dhe masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Inspektorin./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *