Subscribe

Menjëherë pasi partia demokratike zbuloi identitetin e “dëshmitarit X”, Prokuroria e Krimeve të Rënda e mori atë në pyetje lidhur me deklarimet e dhëna gjate intervistimit. Ndonëse diçka e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht burimet i thanë Vizion Plus se Veliu është marrë në pyetje mbi audio përgjimin por edhe rreth fakteve të pretenduara prej tij në intervistimin e bërë nga partia demokratike.

 

Kjo pasi gjatë deklarimeve ka dyshime mbi vërtetësinë  pasi ai tregon pendesën pas burgut dhe më pas shton se sërish tentonte që të eksportonte drogë në Itali.

 

Gjatë rrëfimit ai pretendon se ka punuar për Agron Xhafajn në vitin 2000. Pas kësaj deklaron se ka prishur marrëdhëniet me Agron Xhafajn nga burgosja e parë  në vitin 2005 e në fund shton se ka bashkëpunuar me vëllain e ministrit në vitin 2016.

 

Pas deklarimeve të dhëna në prokurori Veliu është lënë i lirë ndërsa ende nuk dihet nëse ka marrë mbrotje policore.

 

Nga të dhënat e policisë 51-vjeçari Albert Veliu njihet si një trafikant droge i dënuar me burg disa herë, si nga drejtësia shqiptare ashtu edhe ajo italiane. Sipas dosjes italiane ai u arrestua në Peskara më 24 mars 2009 nga Policia, në bazë të një urdhërarresti për trafikimin e  10 kilogramëve heroinë dhe një pistolete. Heroina u zbulua në vitin 2008 dhe ai u arrestua pas një viti së bashku me 15 bashkëfajtorë të tjerë.

 

Në të vërtetë, Veliu nuk u dënua me 11 vite siç pretendon, por dënimi për të ishte 5 vjet, me vendim të Gjykatës së Peskaras, më 7 janar 2011. Albert Veliu e vuajti dënimin në Itali deri në gusht 2013, kur u ekstradua drejt Shqipërisë pasi akuzohej dhe për trafik makinash. Gjykata e Vlorës në vitin 2008 e kishte dënuar me 3 vite burg për trafik makinash ndërsa më herët në vitin 2006 u arrestua nga policia për falsifikim patente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *