Kancelaria gjermane Angela Merkel ka pritur dje në Berlin presidentin francez Emmanuel Macron në kuadër të një takimi mes ministrave të të dy vendeve, që zhvillohet çdo gjashtë muaj.

 

Ata kanë nënshkruar deklaratën e Meseberg për të reformuar Europën.

 

Pikat kryesore për të cilat kanë rënë dakord janë:

 

Ngritja e një Këshilli Sigurie të Europës, më shumë para dhe më shumë personel për të mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE, qendra azili edhe jashtë BE si dhe mbështetje e veçantë për shtetet me shumë refugjatë. Dy liderët janë shprehur se besojnë fort në zgjidhjen europiane për krizën migratore.

 

 “Çështja e migrimit na trondit prej kohësh, ne mbështesim  Franca idenë e forcimit të Frontex, e cila duhet të arrijë në kuotën e 10,000 njerëzve. Objektivi ynë është që të kemi një përgjigje europiane duke iu shmangur idesë se Evropa është e ndarë. Ne gjithashtu mbështesim planet e Presidencës së ardhshme Austriake në drejtim të forcimit të mbrojtjes së kufijve tanë. Ekziston nevoja për të harmonizuar standardet e azilit. Shtetet më të prekura duhet të kenë solidaritetin tone.”

 

Të dy liderët ranë dakord të bëjnë buxhetin e eurozonës një instrument konvergjence mes ekonomive të kësaj zone.

 

“Asnjëherë nuk ishte gjetur një marrëveshje e tillë franko-gjermane. Ne duam që të fillojnë sa më shpejt negociatat dhe të arrihet implementimi i këtij buxheti deri në vitin 2021. Për çështjen e migracionit mund të them se duhet të veprojmë në mënyrë europiane dhe të koordinuar. Ne duhet të shpërbëjmë rrjetet e kontrabandës sepse rreziku humanitar është në alarm.”

 

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer ka paralajmëruar se në korrik do të zbatojë politikat e mospranimit të emigrantëve që mbërrijnë në kufirin gjerman nga një vend tjetër i BE-së. Ai do të veprojë  nëse kancelaria dështon në gjetjen e  një zgjidhjeje deri pas samitit të BE i cili do të mbahet më 28-29 qershor.

 

Ndërkohë Presidenti I Këshillit Europian, Donald Tusk i cituar nga një numër mediash prestigjioze gjermane, ka bërë thirrje për qendrat e azilit jashtë BE, qoftë në Shqipëri apo edhe në Afrikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *