Kur pyetet për strategjinë e opozitës, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkon që të ofrohet zgjidhje për problemet e shqiptarëve. Në një intervistë të dhënë për “Quo Vadis” në “Vizion Plus”, Mediu u shpreh se opozita duhet të jetë më pranë qytetarëve, edhe atyre që janë jashtë politikës.

 

“Ne duhet të kemi një platformë politike që iu ofon shqiptarëve zgjidhje, jo vetëm faktin sa i keq është Edi Rama, por c’mund të bëjmë ne për ta bërë Shqipërinë europiane, që brenda mandatit të parë qeverisës që do të kemi pas 25 prillit, Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE-së, kush do jenë normat e zhvillimit ekonomik, kush do të jetë roli i Shqipërisë në rajon, sidomos në këtë gjeopolitikë e cila është ndesh me interesat shqiptare, një prezencë dhe agresivitet shumë i madh nga ana e Rusisë, Serbisë dhe Kinës, për të vazhduar edhe me problemet me arsimin, shëndetësinë. Pra ne duhet të jemi pak më shumë specifik edhe në këtë pozicion tonin ne duhet të përpiqemi të krijojmë një sinergji edhe marrëdhënie edhe me ata që janë jashtë politikës, për të shfaqur një fytyrë qeverisjeje, e cila tejkalon atë që duket nga lidershipi politik i opozitës shqiptare, është shumë më tepër se kaq.”

 

Për Mediun, nëse opozita nuk është e bashkuar në një qëllim, atëherë nuk mund të bashkohen as shqiptarët.

 

“Nuk është thjesht fakti si mund të mundm Edi Ramën është shumë e rëndësishme që ne të krijojmë një sens pozitiv sesi mund të bashkojmë shqiptarët në një rrugëtim europian”, deklaroi ai për “Quo Vadis”.

 

Më tutje, aleati i PD vlerësoi se marrëdhëniet me kryedemokratin Lulzim Basha janë korrekte. Por ai përmendi edhe rrezikun e dualizmit brenda opozitës.

 

“Raportet e mia me z. Basha janë raporte shumë korrekte. Me z. Basha duke respektuar autoritetin e tij të prej lideri të PD-së, ne të jemi faktor komplementar në mënyrë që t’i shërbejmë qëllimit që kemi. Them lideri i PD-së sepse mendoj që kjo opozitë ka një lider, kjo opozitë duhet të ketë një forcë graviteti që është PD-ja, çdo lloj dualizmi do të ishte i dëmshëm. Kur flas për dualizëm nënkuptoj idenë për të rendur për të treguar kush është i pari. Mendoj se kjo ka një forcë politike kryesore dhe është e rëndësishme që të gjithë pretendojnë që janë të parë,por jo nëpërmjet fjalës, por nëpërmjet punës për t’i bashkuar këtij trungu, kësaj qendre graviteti vlerat e brendshme nga e majta në të djathtë. Në mënyrë të padiskutueshme LSI është një peshë shumë e rëndësishme në opozitë, por edhe të gjithë faktorët politikë PR, PAA, janë një peshë që duhet vlerësuar dhe duhet patjetër që të bashkëngjiten nëpërmjet punës së vetë, marrëdhënieve, strukturave në mënyrë që të jenë sa më funksionale.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *