Subscribe

Gjatë vitit 2024 qeveria ka planifikuar të vërë në dispozicion më pak fonde për investime publike, krahasuar me shumën e vitit aktual.

 

Ekspertët vlerësojnë se kjo mund të jetë një strategji e qeverisë për të arritur objektivin për të ulur borxhin publik në nivelin e 59.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më i ulëti në 11 vitet e fundit.

 

EDUART GJOKUTAJ

EKSPERT EKONOMIE

“Ndikimin më të madh e ka dhënë ulja e fondeve për rindërtimin që i ka kushtuar jo pak buxhetit të qeverisë. Pesha tjetër e shpenzimeve kapitale është e lidhur me përfundimin e disa punimeve dhe ndoshta edhe me një politikë që nuk po zgjerohet më tej me projekte të reja, përsa kohë që projektet e kontraktuara nuk po performojnë sipas afatit. Të mos harrojmë që pagesat e interesave të borxhit është kosto që të paktën në gjysmën e tij shkon pikërisht për këto investime.”

 

Megjithatë, ekspertët e vënë theksin te transparenca, duke kërkuar që vëmendje të ketë jo vetëm për shifrat, por edhe për mënyrën sesi shpenzohen ato para.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT EKONOMIE

“Problemi real nuk është te ndryshimi i fondeve, por si shpenzohen këto para. Është një situatë në të cilën çështja është transparenca e fondeve dhe jo thjesht sasia. duke u emancipuar pak nga çështja 128 miliardë apo 136 miliardë, gjithsesi janë një thes me para. Me këto para, me një vit të vetëm, të gjitha rrugët e Shqipërisë do të ishin të mbaruara në një situatë normale. Kemi investime mbi investimet e kryera, nevojat reale të vendit nuk janë vërtet të studiuara. Veprat publike duhet të kenë logjikë ekonomike pse duhet kjo dhe jo një gjë tjetër. Duhet të dimë cili është rentabiliteti, përfitimi për të bërë një rrugë dhe jo një tjetër, për të bërë një kanal vaditës dhe një aeroport. E gjithë kjo gjëja mungon.”

 

Në projektbuxhetin e vitit 2024 janë parashikuar të shpenzohen në total 735.9 miliardë lekë dhe nga këto, 39 miliardë lekë do të shkojnë për reformën në sistemin e pagave.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *