Përfaqësues të televizioneve dhe agjencive të marketingut mbështetën ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë, një organizëm që do të funksionojë për koordinimin e punës në drejtim të matjes së audiencës në tregun audioviziv shqiptar.
“Komiteti do të përzgjedhë kompaninë që do të bëjë matjen e audiencës. Nuk duhet humbur më shumë kohë”, tha CEO i Vizion Plus, Genci Dulaku.
“Ne jemi të fundit, bashkë me Kosovën që nuk e kemi bërë dhe brenda shkurtit është mirë të ngrihet komiteti. Në sezonin e shtatorit të jetë operues”, tha CEO i TV Klan, Aleksandër Frangaj.
“E kemi domosdoshmëri që na e dikton edhe kushtetuta prandaj është mirë që të përshtasim modelet që kanë funksionuar dhe na afrohen si kulturë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza.
Në të gjithë këtë proces, Autoriteti i Mediave Audiovizive do të ketë rol mbështetës dhe lehtësues ndërsa gjatë tryezës së dytë të diskutimit për këtë çështje u mbështet propozimi që Komiteti i Përbashkët i Industrisë, të ketë 9 anëtarë.
“Tre anëtarë do të jenë televizionet kombëtare, po ashtu do të jetë edhe televizioni publik, tre vende për mediat vendore dhe dy për agjencitë e marketingut”, tha kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Hapi i radhës është përcaktimi i formulës sesi do të përzgjidhen tre anëtarët nga mediat me licencë lokale, që do të jenë pjesë e këtij bordi./vizionplus.tv