Helmohen studentët e akademisë, 56 të rinj përfundojnë në spital nga ushqimi i prishur. Dy në pranga e një në kërkim

Një tjetër skandal i sigurisë ushqimore është zbuluar duke nxjerrë në pah firmat private që pasi fitojnë tenderat për ofrimin e shërbimeve ushqimore funksionojnë jashtë çdo lloj standarti duke rrezikuar jetën e konsumatorëve.
56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan të mërkurën nga ushqimi. Pas konsumimit të drekës brenda ambienteve të Akademisë, studentët janë ndjerë keq, duke patur komplikacione shëndetësore dhe janë dërguar në spital me urgjencë.
Dyshohet se kompania private Sori-Al të ketë helmuar studentët e policisë, pasi ky subjekt privat ka një kontratë me Akademinë e Sigurisë për tu ofruar ushqimin për 3 vaktet studentëve pranë këtij institucioni.
Në pranga kanë përfunduar dy punonjës të firmës private, kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka me detyrë teknologe e ushqimit.
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim administratoren e Sori-Al, Alma Tafani. Tafani është bashkëshortja e kreut të Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rënda me të vjella dhe dhimbje të forta barku. Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim dhe janë larguar nga ambientet spitalore.
Hetimet po kryhen nga policia e Tiranës, ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostra të ushqimeve ku pritet një përgjigje se çfarë i helmoi studentët pasi konsumuar drekën.
Nga ana tjetër AKU ka nisur hetimet ku vërteton se kuzhina pranë Akademisë së Sigurisë nuk përdorej për gatim, pasi ushqimet vinin të gatshme nga Sori-Al.
Firma private përdorte garnizonin Skenderbej pran Akademisë së Forcave të Armatosura për përgatitjen e ushqimeve. Në këto ambjente u gjetën dhe u bllokuan 85.9 kg produkte ushqimore dhe u dërguan në laborator për analiza.
Sipas njoftimit të AKU Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Ndërkohë pritet që të hetohen dhe kontratat e tjera që Sori-Al kishte lidhur me institucionet e vendit apo me firmat private për ti ofruar shërbimin e kateringut. Sipas të dhënave për vitin 2025, kompania Sori-Al në pronësi të Alma Tafanit, gruas së Nikolin Jakës, rezulton si fituese e 75 tenderave publikë, me vlerë 4. 2 miliardë lekë.




