Mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, pas të dhënave që kanë dalë nga hetimet e SPAK-ut për mënyrën si zhvilloheshin tenderat në këtë institucion. Partia Demokratike akuzoi shumicën socialiste se po shkel Kushtetutën duke i mohuar të drejtat opozitës, ndërkohë që kryeparlamentari Niko Peleshi deklaroi se nuk mund të bëhen interpelanca për çështje që janë në hetim.
“Nëse nuk zbatoni Kushtetutën dhe nuk sjell dot Edi Ramën në seancën plenare, jep dorëheqjen! Je frikë t’i thuash kryeministrit që je i detyruar të japësh llogari në seancë plenare! Nuk ke guxim! Ki guxim të paktën dhe tërhiqu nga ajo pozitë!”, tha Gazment Bardhi.
“Interpelanca, si instrument kushtetues i kontrollit parlamentar, nuk mund të përdoret qe anëtarët e Këshillit të Ministrave të japin shpjegime mbi çështje që janë nën hetim penal”, u shpreh Niko Peleshi.
Socialistët rrëzuan edhe një kërkesë të PD për të zhvilluar një debat në lidhje me raportin që komiteti i jashtëm i parlamentit evropian miratoi 2 ditë më parë për Shqipërinë.
“Ato janë shqetësime që opozita për 1 vit me radhë i ka shprehur. 300 amendamente, kaq problem është bërë Shqipëria. Kaq problem është bërë krimi i organizuar, imuniteti i Belinda Ballukut, zgjedhjet e lira apo dhe ligjet pa konsultim. Nuk ka proces transparent të integrimit. Çfarë problemi ka qe të diskutohet për integrimin në BE?”, deklaroi Tabaku.
“Do të presim ta miratojë PE. Besoj se do të jemi një delegacion nga ne në PE. Projektrezoluta e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional. E mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet”, tha Balla.
Në datën 5 maj Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Miratoi raportin për Shqipërinë, raport i cili do të miratohet nga Parlamenti Evropian pak javë më vonë.





