Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Ferizaj të Kosovës. Një vajzë e re, rreth 19 vjeçe u paraqit në spital me dhimbje të forta barku dhe ka hyrë në tualetin e spitalit.
Ajo ka dalë prej aty pas disa minutash, ku në korridor e priste një i afërm i saj.
“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike”, thuhej në njoftimin e spitalit.
Sipas njoftimit të Spitalit menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe se ekipi mjeksore ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
Në momentin kur është gjetur, foshnja ka qenë e lagur dhe në hipotermi me temperaturë nën 32 gradë dhe oksigjen nën 60. Sipas raportit të policisë thuhet se e dyshuara, është në trajtim mjekësor në spitalin Gjinekologjik të Ferizajt, ndërsa foshnja që humbi jetën ndodhet në morg.
Fillimisht e reja nuk ka pranuar se foshnja ishte e saj, por më vonë në prani të policisë e ka pranuar këtë.
Policia e ka referuar çështjen në prokurori, ku 19-vjeçarja akuzohet për veprën penale “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”.





