Kur të gjithë të tjerët e kane te ndaluar të dalin nga shtëpitë, te vetmet që do të lejohen ditën e Dielë janë nënat bashkë me fëmijët e tyre deri në moshën 10 vjeçare. Lehtësimi u komunikua nga kryeministri Edi Rama. Në urdhrin e publikuar në rrjetin e tij social, kreu i qeverisë thekson se orari i daljes do të jetë deri në orën 11 të paradites. Më pas të gjithë duhet te kthehen në shtëpi.

Nga nënat kërkohet që të mos shoqërohen me persona të tjerë dhe fëmijët mos të kenë asnjë kontakt me të tjerët, pra të respektohet distancimi fizik.

Për fëmijët mbi 10 vjeç, baballarët dhe gjyshërit është e ndaluar dalja. Masa tjetër lehtësuese e cila do të nis të zbatohet nga e Hëna është zgjerimi i listës së bizneseve që do të hapen.

Në faqen e-albania është publikuar lista, ku është rritur numri i  bizneseve në sektorin e kultivimit, prodhimit nga industria ushqimore e deri te ajo e tekstileve.

Është zgjeruar aktiviteti tregtar me shumicë dhe pakicë në disa sektorë.

Në 20 Prill do të nisin punën edhe hotelet apo struktura të ngjashme akomodimi, në parqe do të lejohen njerëzit apo rulotat e çadrat për arsye argëtimi.Studio fotografie, zanatçinj, veterinerë, agjenci udhëtimi,operatorë turistikë e shumë të tjerë do t’i rikthehen shërbimit të klientëve.

Bashkë me kategoritë e bizneseve që do të lejohen të funksionojnë, autoritetet shëndetësore kanë publikuar edhe masat mbrojtëse që duhet të përmbushin.

Nga ata kërkohet pajisja me maska dhe dezinfektantë për punonjësit dhe klientët apo përcaktimi me shenja dalluese për ruajtjen e distancës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *